Nga Kastriot Myftaraj

Në Shqipëri, si dhuratë amerikane kemi Presidenten në mërgim të Iranit zonjën Marjam Raxhavi si dhe gardën presidenciale në mërgim të Iranit, me seli në Manzë, pranë Durrësit.
Me përmbysjen e regjimit të ashtuquajtur perëndimor në Afganistan me ç’ rast po strehohen në Shqipëri afganët që kanë bashkëpunuar me perëndimorët (kuptoni: të korruptuarit që kanë vjedhur paratë që i ka dhënë Perëndimi popullit të Afganistanit për shtetndërtim), do të kemi në Shqipëri si një pasojë të natyrshme të strehimit të afganëve këtu edhe qeverinë në mërgim të Afganistanit.
Sepse Amerika kudo që humb një luftë krijon një qeveri në mërgim. Fati jonë i keq që Afganistani nuk ka dalje në det që të kishte një ishull si Taiwani ku Amerika të krijonte një qeveri të dytë të vendit përkatës, si qeveria e dytë kineze në Taiwan.
Irani në fakt ka disa ishuj, por amerikanët pas aksionit të pafat me helikopterë në ambasadën e tyre në Teheran, në 1980 nuk u inkurajuan për të zënë ndonjë ishull që të përdorej si vendqëndrim për një qeveri të dytë iraniane.
Kështu Shqipëria do të bëhet me tre qeveri. Prandaj kur të thuhet “qeveria në Shqipëri” duhet saktësuar se cila qeveri, ajo e Shqipërisë, ajo e Iranit në mërgim, apo ajo e Afganistanit në mërgim.
Nuk përjashtohet mundësia që të bëhemi edhe me një qeveri të katërt meqë para muxhahidinëve iranianë dhe afganëve Amerika na solli në Shqipëri ujgurët muslimanë kinezë, të cilët kërkojnë pavarësinë e Xiniangut një zonë në Kinën veriperëndimore. Nëse ujgurët do të krijojnë një qeveri ku mund të vendoset tjetër ajo përveçse në Shqipëri. Vendi më i mirë është Peqini, të cilin në kohën e miqësisë komuniste shqiptaro-kineze e quanin “Pekin”, me emrin e kryeqytetit të Kinës që me reformën gjuhësore kineze sot quhet Bejing.
Territori i vendeve të këtyre qeverive që gjenden në mërgim në Shqipëri mund të quhet zonë ndikimi virtuale shqiptare. Kështu mund të bëhet fjalë për një perandori virtuale shqiptare e cila nis nga Xinjangu dhe përfundon në Adriatik. Mendoni pak, vetëm Xinjangu ka 1,664, 597 km². Afërsisht aq ka edhe Irani. Afganistani ka disa herë më pak por ka nofkën historike që e bën të famshëm si “varrezë e perandorive”.
Në të vërtetë të tre qeveritë që gjenden sot në vendin tonë janë në mërgim, pasi edhe qeveria e Shqipërisë gjendet më shumë jashtë vendit se brenda. Nuk janë të pakta ditët e vitit kur në territorin e Shqipërisë gjendet vetëm një qeveri ajo e Iranit në mërgim. Tani do të alternohet prania e saj me atë të Afganistanit për të kompensuar mungesën e qeverisë zyrtare shqiptare.
Nëse vazhdojnw kështu, kryeministri Rama do të mund të krijojë këshillin e kryeministrave të qeverive që gjenden në Shqipëri. Kuptohet kryetar do të jetë ai. Me këtë do të rrisë profilin e tij si lider global./Kastriot Myftaraj