Nga Agustin M. Mirakaj

Mënyra sesi një shoqëri reagon ndaj së keqes është shenjë e lartë e civilizimit të saj. Refuzimi me përbuzje i të keqes është kurdoherë detyrë e shenjtë e çdo individi dhe shoqërie. Mosndëshkueshmëria e krimit dhe genocidit komunist mbi popullsinë e pafajshme në Shqipëri, mbi klerin fetar dhe familjet e mëdha, vazhdon dhe sot të jetë një plagë e thellë shoqërore, një amanet i pambajtur, një premtim i parealizuar.

E shkuara vazhdon dhe sot të na mbajë peng. Pa ndëshkuar të kaluarën e tmerrshme, kurrë shoqëria shqiptare nuk do gjejë paqe, zhvillim, qetësi dhe kohezion.Krekosja e xhelatëve në institucionet më të larta shtetërore, promovimi i antivlerave komuniste, i bijve të etërve, kthimi në neodiktaturë ka gjunjëzuar shqiptarët.

Sot, bota përkujton ditën e viktimave nga rregjimi komunist. Kurse në Shqipëri askush nuk ka dhënë ende llogari për mijëra të vrarë, të burgosur e mijëra të persekutuar. Familjet që vuajtën nga kthetrat e diktaturës, asnjëherë nuk rreshtën për të kërkuar dhe mbrojtur demokracinë e brishtë e cila asnjëherë nuk ju dha as triumfin moral.

Tani është koha të përballemi me të kaluarën, ajo nuk duhet harruar. Gjithmonë ka kohë për të bërë luftë me të keqen. Qëndresa e palëkundur është ajo që nxit shpresen per te mos shkuar më mbrapa, mbrapa nen kthetrat e nje diktature të re qe sot keta neokomunistë po mundohen ta shtypin me forma të ndryshme duke gjykuar lirinë e mendimit, të shprehurit, të vepruarit, të pjesëmarrjes.

Sot ata vazhdojnë në gjurmet e baballarëve të tyre duke monopolizuar shtetin, duke mbushur institucionet me ish oficerë të sigurimit famëkeq komunist. Një trashëgimi e mallkuar që na ndjek nga pas. Në të kaluarën shoqëria shqiptare ka vuajtur shume , dhe SOT akoma vazhdojne të vuajne nga e kaluara që naparaqitetsi mallkim i së ardhmes. Baballaret e tyre ishin metastaza e këtij kanceri ku ushtruan dhune brutale për të shkaterruar lirinë, besimin, historinë dhe kulturën tonë europiane.

Këtë e verteton dhe vete neokomunisti Rama i cili deklaron që “komunistët ishin në anën e duhur të historisë” deklaratë kjo e dënueshme dhe e pa pranueshme. Të mbrosh komunizmin në vendin më të persekutuar në Evropë është një karagjozllëk i turpshëm dhe i dënueshëm.

Komunizmi, kjo farë e keqe do të thoshte At Zef Pllumi, ka qenë ne anen e tradhetisë kombetare të mbeshtetur nga armiqtë historik te kombit shqiptar. Lufta ndaj së keqes nuk ka mbarim e as fillim. Është detyrë e shenjtë e çdo shqiptari. Qëndresa është ajo që na ndan nga e keqja.