Parlamenti i kontrolluar nga Partia Socialiste po ndryshon një ligj të vitit 2010 që krijoi një institucion për studimin e periudhës komuniste. Kryetari i institucionit, Agron Tufa, i tha BIRN se ndryshimet duken se mbartin teknika tipike të Sigurimit të Shtetit.

Kuvendi i Shqipërisë po rishikon ligjin mbi studimet e komunizmit me një synim për të ndaluar në mënyrë eksplicite studimin e Luftës së Dytë Botërore si pjesë e periudhës komuniste të vendit ndërsa kërkohet që punonjësit e Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit të pajisen me certifikatë sigurie, e cila zakonisht kërkohet për zyrtarët që kanë akses në të dhëna sekrete të shtetit.

Projektligji i propozuar nga dhjetë deputetë socialistë thotë në relacionin shoqërues që “Regjimi komunist nuk mund te lidhet me periudhen e luftes Antifashiste Nacional-Çlirimtare” sepse “eleminimi i kundërshtarëve politikë” nisi vetëm pas luftës.

Propozimet e ndryshuara synojnë gjithashtu që në institutin e studimeve të krimeve të komunizmit të punonjësit të “jenë persona që gëzojnë besueshmëri” dhe për këtë arsye, i punësuari në të “duhet të plotësojë edhe kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar.” Për këtë arsye, kërkohet që punonjësit të marrin certifikatë sigurie, një dokument që jepet nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, një institucion në varësi të kryeministrit.

Agron Tufa, drejtori aktual i institutit, i tha BIRN se ndryshimet ishin “tipike për teknikat e sigurimit” dhe tregojnë “mentalitet të kohës së komunizmit” në shkrimin e historisë.

“Ne po trajtohemi si një strukturë shërbimesh sekrete dhe jo si një institucion për studimin e historisë,” i tha Tufa BIRN.