Me kërkesë të Grupit Parlamentar Demokrat, si dhe me mbështetjen e Grupit Parlamentar “I Pavarur”, për shtyrjen e shqyrtimit në lidhje me shtesën e Nenit 43/b të Kodit Penal, ku kërkohet që për personat që cenojnë apo dhunojnë procesin zgjedhor, të vendoset si sanksion shtesë pengimi për të udhëtuar jashtë Shqipërisë për periudha kohore nga pesë deri në dhjetë vite, u dakordësua që të shtyhet deri në 20 ditë, pra më datë 9 Korrik, në mënyrë që të analizohet dhe të verifikohet nëse ky nen bie ndesh me Kushtetutën dhe me të Drejtat e Njeriut.

Mazhoranca duhet të sqarojë qëllimin dhe shtimin e këtij neni, dhe a është marrë parasysh fakti se ky nen është në përputhje apo jo me Kushtetutën dhe legjislacionin aktual? A shkel të drejtat e njeriut ky nen i shtuar?

Cilët nga vendet e tjera Europiane Perëndimore e kanë si praktikë ligjore, që ne t’a marrim si shëmbull?

Pse duhet të shtohet ky nen në Kodin Penal, ndërkohë që nëqoftë se një person kryen vepër penale që cënon zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, në momentin që kjo vepër penale mund të ndodhë, sipas nenit 232/a të Kodit të Procedurës Penale mund të caktohet masa shtrënguese e ndalimit të daljes jashtë shtetit të shkelësit ose sipas nenit 232/dh të kodit të procedurës penale t’i vendoset masa e arrestit me burg, por deri në momentin që të shprehet gjykata me vendim të formës së prerë, pa cënuar në asnjë moment të drejtat e njeriut.