Por çuditërisht, fitorja e Arba Kokalarit pllakosi heshtjen te Rilindja.

Kryeministri Edi Rama dhe eksponentët kryesorë të mazhorancës siç duket nuk e kanë kapërdirë lehtë suksesin e Kokalarit ndaj dhe heshtje totale në rrjetet sociale.

Rama dhe ndjekësit e tij në qeveri dhe PS janë goxha aktivë në Facebook e Twitter, me foto, video, dedikime dhe lajmërime, por çuditërisht sot heshtën.

Sekretari i Përgjthshëm dhe kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla reagoi menjëherë sapo Knut Fleckenstein dha lajmin se nuk do të jetë më pjesë e PE-së, duke “e ngushëlluar” në rrjetet sociale, por për vajzën tonë ende asnjë fjalë.

Madje edhe ministri i Diasporës, Pandeli Majko dhe drejtoresha e tij, të cilët gjatë të ashtuquajturit Kongres javë më parë në Tiranë do të zotoheshin se, vëmendja ndaj shqiptarëve jashtë atdheut do të ishte shumë e madhe. Por siç duket milionat e shpenzuara kanë vlejtur për tjetër gjë.

Edhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, i cili doli nga vetja ditë më parë për të “gëzuar” me iftar besimtarët myslimanë nuk kanë asnjë reagim për suksesin e vajzës shqiptare.

As zonjat e nderuara të PS dhe qeverisë nuk e kanë marrë mundimin të urojnë Kokalarin.

As kreu i FRESSH, deputeti i ri Eljo Hysko, edhe pse kemi të bëjmë me suksesin e një të reje shqiptare, nuk e ka marrë përpjekjen ta urojë dhe ta reklamojë te të rinjtë e tjerë si histori suksesi dhe burim frymëzimi edhe për ta.

Por edhe habia nuk ka shumë kuptim në këtë rast. Bijtë nuk mund të konceptojnë faktin se, si mbesa e “armikes së partisë dhe popullit”, të diplomuarës së ‘La Sapienzas”, intelektuales dhe luftëtares së parë të pluralizmit në Shqipëri Musine Kokalari, e cila u ndoq, u përndoq dhe u shkatërrua nga etërit e tyre politikë dhe biologjikë, sot të jetë deputete në Parlamentin Europian.

Etërit e morën dhe po e mbajnë pushtetin falë luftës gjakatare ndaj familjeve fisnike, siç është në këtë rast edhe familja Kokalari, ndaj dhe urimi për Arbën është ‘plus’ për armikun dhe ‘minus’ për partinë.