Shkruan: Edison Ypi

Të dashur, të mrekullueshëm, të pakrahasueshëm, të hatashëm bashkatdhetar vllavrasës, thikëngulës, tritolshpërthyes, kaferrufitës, gazetangrënës, internetshetitës, hashishtymosës, drogëtransportues, të ëmbël, të tharët, zemërbardhë, mëlçizinj, shpirtkatranë, ku jeni e ku s’jeni nëpër kafenera, para tavave të dhesë, zjarreve të ftohura, vatrave të fikura, oxhakëve pa tym, pjatave të zbrazëta, garuzhdeve bosh, ndalni muhabetet, llomotitjet, thashethemet, intrigat, dallaveret, kollitjet, teshtitjet, frymat, dëgjoni,

Po japim lajmet.

Sipas të dhënave të shumta, për vërtetësinë e të cilave nuk na përket të mbajmë asnjë përgjegjësi sa kohë këto lajme që ne po ua japim juve të tjerë na i kanë dhënë neve, kanë dalë në dritë disa të vërteta me rëndësi madhore për Kombin dhe më gjërë.
Më në fund j’u dha përgjigje kryepyetjes që prej shekujsh torturon dhe tmerron ditë e natë kryemendjet e shqiptarëve, europianëve, amerikanëve, kinezëve, japonezëve, dhe banorëve të mbarë planetit;
Pse shqiptarët vrasin njëritjetrin ?
Ky fenomen ka ndodhur, po ndodh dhe do ndodhi, aspak si me patëdrejtë është thënë po thuhet e do thuhet, për arsye të selektimit natyral darvinian hitlerian, apo për arësye politike, ideologjike, korruptive etj, por për një shkak shumë më të thjeshtë dhe të komplikuar njëkohësisht, që është ky; Mbi truallin e pellazgëve dhe ilirëve, në periudhën kohore nga kastriotët tek proletarët, mpleksja e gravitacioni të tokës, rrezeve kozmike, fushave elektromagnetike, ujrat dhe mineralet e nëntoës, shtoi këtyre faktorëve flladin e këndshëm, trishtimin e lunës, muzgun deprimues, perëndimin e përgjakur, të gjitha këto pra, mpleksen në sasi dhe cilësi në atë masë dhe atë mënyrë që mendjen e shqiptarit e torollepsin aq tepër dhe aq bukur saqë, ai, pra shqiptari, për shkak të këtij turbullimi të pavetdijshëm, duke ngatërruar lugën që fut në pjatë me sqeparin që ngul në kurrizin e babait, apo pirunin që ngul në sallatë me thikën në zemrën e vëllait, s’po di ç’po ç’bën, s’po di ç’po ç’ther, s’po di ç’po ç’vret.

Kaq për këtë. Tani tjetra pyetje; Pse në disa vende të Shqipërisë lopat lindin viça me 3 koka, gjarpëreshat pjellin gjarpërinj me 5 gjuhë të helmafisura dhe të holla si gjilpëra, pulat nxjerrin nga bytha vezë të bardha pa asnjë të verdhë brenda ?
Siç na njofton blogu namqir loqethari.kot u zbulua se shkaku i kësaj mënxyre ndodhet në katundin Varilesht të Komunës Moserruj ku vaginat e femrave si ato humane dhe ato animaleske kanë nga 3 deri në 17 vrima. Hutimi i meshkujve para gjithatyre vrimave, vështirësia e kuptueshme për të zgjedhur në cilën duhet depërtuar, kjo paqartësi dhe pavendosmëri e lemeritshme, është arësyeja e atij ndërlikimi genetik monstruz.

Pyetjen tjetër; Në cilin zgëq të Shqipërisë flitet dhe shkruhet gjuha e pastër shqipe ? e sqaron portali nampanam futiakot.rog nga i cili mësojmë se, së pari ai zgëq ekziston, çka është në vetvete një haber i mirë, dhe se vendndodhja e atij zgëqi aq të rëndësishëm më së fundi u zbulua. Zgëqi në fjalë ndodhet ku askush nuk e di, askujt nuk i vlen, askujt nuk i intereson. Në këto kushte ekzistenca e atij zgëqi kudo që mund të ndodhet apo të mos ndodhet s’ka asnjë rëndësi. Për të mësuar nëse zgëqi i uruar i korrektesës së munguar të komunikimit Shqip nuk ekziston sepse nuk ka asnjë rëndësi, apo duke mos pasur asnjë rëndësi as nuk ekziston, pritet ta qartësojë Fiqir Fluturaku në programin e tij televiziv “Sofra e Rrotave” ku llomotitet pafund për këto tema.

Ku ndodhet katundi Liria ? Ai katundi pa Kushtetutë, pa Parlament, pa qeveri, pa ligje, pa Kod Penal pa prokurori, pa gjykatë, si dhe natyrisht pa pare, pa korrupsion, me bakshish zero, me taksa inekzistente, shërbim shëndetësor 100 % falas, korent dhe ujë që nuk paguhen sado të konsumosh. Frika se ai katund kaq interesant nuk ekziston doli e pabazuar. Dilemën për pyetjen madhore për fatet e Kombit lidhur me vendndodhjen e atij katundi e zbardhi sajti tarallaku.lek i cili, për katundin në fjalë jep këto koordinata; Katundi Liria ndodhet prapa disa maleve, në luginën e një lumi, pranë disa kaçubeve, përballë një ujvare, rrëzë një pellgu me ujë të ndënjur ku guakin disa zhaba, pickojnë disa mickonja, kafshojnë disa gaforre, helmojnë disa gjarpërinj. Problemi është se, për fat të keq, këtë katund nuk e kap asnjë hartë, për fat të zi nuk e njeh asnjë administratë, për fat të sterrosur nuk mund ta shohi asnjë njeri normal. Por s’është për tu mërzitur. Katundin Liria mund ta nuhasin, mund ta shohin, si dhe mund ta vizitojnë disa njerëz të zgjedhur të Perëndisë, disa njerëz me cilësi mbinatyrore me shqisa të shtata, të teta, të nënta, e të nëntëdhjetenënta, që e kanë shpirtin sa një majë gjilpëre, trurin sa një kokërr orizi, gjoksin sa një mal, mushkërinë sa një pllajë. I vetmi problem me katundin Liria është se të vetmit njerëz në Shqipëri të cilët duke pasur cilësitë e mësipërme në katundin Liria mund të hyjnë e dalin lirisht, janë Kuqo Koburja, Kurv Hajni, Fyt Thika.
I dhamë lajmet.
Faleminderit për vëmendjen e munguar.