Nga Agron Shehaj

Përgjimet e Ndraghetës nga drejtësia italiane treguan qartë faktin e shkrirjes në 1 të qeverisë, krimit e biznesit.

Paratë e trafiqeve dhe aktiviteteve të tjera kriminale injektohen në biznese në Shqipëri, aktiviteti kryesor i të cilave lidhet ose me leje ndërtimi ose me kontrata shërbimesh me qeverinë.

Në qeverisjen Rama e gjithë ekonomia shqiptare është drejtuar qëllimisht drejt parave të krimit.

Ky kriminalizim i ekonomisë ka bërë që që jo vetëm të mos ketë asnjë investitor të ri, por ka detyruar shumë kompani perëndimore të braktisin Shqipërinë. Disa nga këto kompani janë bërë viktima e dhunës shtetërore me inspektorë e gjoba që ka patur si qëllim përzënien e tyre dhe kalimin e veprimtarive dhe pasurive të tyre në duart e krimit shqiptar, pas të cilit fshihen qeveritarët që përfitojnë nga paratë e krimit.

Ka një ligj në ekonomi, paraja e pistë përzë paranë e pastër, dhe kjo qeveri ka nxitur paranë e pistë që po mbyt ekonominë e vendit.

Që ekonomia shqiptare të rritet, që investitorët e huaj të rikthehen në Shqipëri, që të hapen vende të reja pune, e vetmja mundësi është largimi i kastës kriminale nga pushteti për t’i hapur rrugën një qeverie të pakapur nga krimi.