Nga Kastriot Dervishi

Institucionet që morën kërkesat për të dhënë informacione për punonjësit me shkollë Sigurimi, filluan të përgatiten për t’i mbrojtur ata duke refuzuar kryesisht me përgjigje jointeligjente me dy “argumente”: sekretin shtetëror dhe të dhënat personale.


Le të shohim shkresën e parë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Kërkesa e Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK) ishte më datën 11.12.2019. Në përgjigje nuk referohet data e shkresës që kthehet përgjigje, ndërsa numri i protokollin është një mishmash i llahtarshëm, një notë 4 për adminisratën.

Shkresa nis me fjalët “pas verifikimeve të kryera”, kur askush nuk i kërkoi verifikim, por të dhëna nga regjistri bazë i personelit, i cili është elektronik dhe nuk kërkon verifikime. Pastaj përgjigja bëhet edhe më shumë qesharake sepse Policia nuk ka arkiv dosjesh formulare apo hetimore-gjyqësore që mund të bëjë verifikim, e aq më tepër në mënyrë heroike në një kohë relativisht të kufizuar.

Dhënia e një përgjigjeje si kjo bashkëlidhur, tregoi një mungesë të theksuar të inteligjencies dhe mbrojtje të guximshme për të shkolluarit e profilit të Sigurimit. Teksti që ka shkruar konceptuesi lidhet me detyrat funksionale që ka kryer arma e Sigurimit. Nëse do kërkohet verifikim i kësaj praktike, do rezultojë se nuk ka asnjë lloj kërkimi aty. Është thjesht një konceptim i naivitetit me dashurinë për Sigurimin.