Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përcolli edhe sot një mesazh të fortë në nderim të Heroit të Kosovës, Afrim Bunjakut, i cili dha jetën në përleshjet me bandat kriminale serbe që kryen një tjetër agresion në Kosovë.
“Dje i dhamë lamtumirën heroit Afrim Bunjaku, – shkroi Osmani në Fb krahas fotografive. – Kosova është ngritur mbi sakrificën sublime të një populli. Ajo po mbahet mbi këtë sakrificë e do të jetojë përjetësisht falë trimave si Afrimi.
Afrimi na bindi sërish se flijimi i jetës për atdheun është rilindje, jo vdekje. Duke rënë për Kosovën ai e përjetësoi jetën e tij. Tani ai është hero i Kosovës, bir i saj i shtrenjtë që jeton në altarin e historisë së atdheut. Lavdi heroit Afrim Bunjaku!” – ishte thirrja me të cilën e përmbylli, mesazhin e saj Vjosa Osmani.