Një pallat i kuqerremt, tipik,ndërtim bajat i tranzicionit arkitekturor mëmëdhetar, krejt i pa shije, i rri si xhandar mbi kokë Teatrit. Dy vajza me shami lidhur kokës janë ulur e shkruajnë në celular në një nga stolat e improvizuar buzë pishinës.
“Sahan lëpirës i Edi Ramës me atë kapele gjithë zhul…”
Një burrë me shenja të dukshme demence u fry si spec e bubulloi. Njerëzit e ulur, shpërndarë mbi një pedanë të improvizuar e stola, pothuaj nuk ia vunë veshin. Flasin të gjithë për diçka. Një nga organizatoret bën tutje-tëhu sa te një grup te tjetri. Ecën me hap të ngadaltë qokash e me kokën lart. E parë nga jashtë duket sikur e shijon me të vërtetë statusin e saj. Duket si në shtëpi. Një burrë i gjatë vërtitet nga një cep në tjetrin, gati i padukshëm, edhe pse është diku te dy metrat i gjatë. Filmon, bën foto e kalon pranë gati si një fëshfërimë. Dy vajza te të tridhjetat konsultojnë skaletën e ditës e kryejnë rendin e fjalës.
Sot e ka radhën e bija e dy artistëve të flasë. Ka ardhur nga jashtë shtetit për pushime në mëmëdhe.
Në një si kthinë mes dy teatrove, një burrë i moshuar flet me vete. Bën vokalica.
Do flasë mbas së bijës së aktorëve. Njerëzit fillojnë të shtohen. Si pa u kuptuar, pedana, karriget e stolat janë gjallëruar. Pjesën më të madhe të pjesëmarrësve i shoh mbas e anash. Si të kishin ardhur, kur sapo kthen kokën apo, si të kishin qenë aty gjithmonë.
”Më vjen t’u them natyrshëm: Ju dua shumë e ju falënderoj për praninë tuaj!”
Vajza me syze të errëta gati përkëdhel mikrofonin.
Zëri, edhe pse më duket i impostuar, është i besueshëm.
Kontradiktë!
Një burrë rrondokop e i djersirë, me një dorë në xhep e, qartas, me tjetrën në emocion, fillon të artikulojë idetë e tija.
Nuk lë njeri pa sharë. Majtas e djathtas. Poshtë e lart.
“Rama ik”.
Zëri i një pensionisteje luftarake i ndërpreu fjalën burrit në djersë. Bri meje, një person te të 50-tat kruajti kokën, pastaj mbështeti nofullën mbi pëllëmbë e u përqendrua te folësi.
Herë mbas here, nga gjysëm harku i njerëzve shkrepnin fjalë në mbështetje a në kundërshtim me folësin. Në të majtë, një politikan i opozitës zgjatej e shkurtohej sa herë rrondokopi shante të tijët.
Duartrokitje të vakëta.
Një nga organizuesit, që deri në atë çast shkruante në celular, u çua ngadalë, me solemnitetin që i jepte pozicioni e iu avit mikrofonit.
“Tani e ka radhën të flas zonja E. Ka ardhur nga jashtë posaçërisht në mbrojtje të Teatrit.”
Duartrokitje të zjarrta.
Zonja i përthithi me një gjest aktoresk e ua kthen mbështetësve të gjysmëharkut falenderimin.
Flet gjatë për teatrin, moralin, pozitën, diktaturën, dhëmbët e vëna (një nga arsyet që kish ardhur – tha) e për atë çfarë do ju lëmë pas femijëve. Dukej qartë stampa e prindërve artistë në gjestikulacionin e saj.
“Të lumtë goja të lumtë. Bravo!”
Duartrokitje.
Organizatorja i përkëdheli dorën kur u shkëmbyen.
Mikrofoni, si kalë i duruar, priti kalorësin e radhës. Një prej organizatoreve mban një fjalim tre-katër minutësh kryesisht kundër liderit të pozitës e kryetarit të bashkisë. E kisha dëgjuar me të njëjtat fjalë disa herë në ditët që frekuentova mbështetësit e teatrit.
Mendime të palidhura mirë, por qartë kuptohej nervi e mllefi me programuesit e prishjes së teatrit. Është pikërisht kjo e bukura e kësaj Agore të krijuar në këtë shesh mes dy teatrove. Boshllëqe, gjysmë të vërteta, bindje, gjysma bindjesh. Në këto evente të rëndësishme ku e vërteta gjen fushën e vet, është ajo që bëhet rregullatore e moralit edhe të dikujt që me moralin e të vërtetën mundohet të vishet. Ky shesh po mundohët pak nga pak të kalojë e të kondicionojë këdo që do donte ta kalëronte në favorin e vet.
Bri meje:
“Duhet t’ia hypim sipër benzave të këtyre maskarenjve, që na drejtojnë si Mihali i Porto Palermos e t’ua prishim!”
“Po jo more, ç’thua!? Ai ishte i tyre. E çfarë do ti pastaj!?
Të vijnë e të na e prishin me të vërtetë teatrin si restoranti i qeparosit!?”
Dy të rinj, në të vetmin stol ku mungonin dy ristela mbajtëse, gugatnin me sy të lumturuar. Janë të vetmit që në çdo mbarim deklamimi nuk harrojnë të duartrokasin. Mbrëmja po bëhet gjithmonë e më e thellë e në blunë e saj pallati xhandar po humbet konturet. Brenda sheshit të teatrove dritat ndrijnë më të forta. Deklamuesi i radhës po flet për ujin e munguar në qytet. Ka gati një kruarje trupi e ndërsa flet, problemi i tij bëhet më i prekshëm.
Njerëz të tjerë i janë shtuar gjysmëharkut. Nën blunë e mbrëmjes radhët mbas duken si te shkrira në një.
“Sa të jemi ne, nuk ka shans ta prishin teatrin. Poshtë diktatura!”
Një burrë me sy gati të kuq nga inati bubulliu. M’u duk e pajustifikuar gjithë ajo ulërimë por, sheshi është edhe i tiji.
Duartrokitje e të qeshura.
Dy vajzat me shami në kokë dukeshin sikur qenë bërë një me buzën e pishinës së teatrove. “Vend relaksi, argëtimi e kulture, i konceptuar nga italianet në çdo detaj”. Miku im, një nga organizatorët, flet me entuziazëm për këtë aspekt.
Një grua te të gjashtëdhjetat, me hap të shpejtë i drejtohet podiumit ku një banderolë me mbishkrimin: “Mbroteatrin” kufizohet nga dy flamuj kuq e zi. Pak nacionalizëm nuk bën keq. Brenda teatrit, flamuj të tillë mundoheshin, kohë më parë (në një shfaqje që ndoqa aty), t’i bënin kozmetikë fytyrës së tij gjithë rrudha e plasaritje. Njerëzit në shesh janë aty edhe në mbrojtje të këtyre rrudhave. Janë shenja të kohës që edhe ata kanë jetuar së bashku me teatrin.
“Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen. Sonte unë do jem turni i tretë i mbrojtësve”. Duartrokitje, lënie takimesh për të nesërmen, sharje nën e mbi zë, përshëndetje me dorë miqsh. Sheshi mes teatrove po boshatiset ngadalë. Echo e deklamimeve në këtë një vit e ca të mbrojtjes së tyre, dukej si një napë e bardhë mbi shesh. Një cep i saj mbulonte mbrojtësit e turnit të tretë në stolin pa ristela prej ku dy të rinjtë ishin larguar pa i parë.
Bori makinash vikamën në të njëjtën kohë.
Te kryqëzimi i “Dëshmorëve të Kombit” me ministritë, si në një hinkë absurde, makinat po shtyheshin bërrylash pa lënë të kalonte një burrë shtatgjatë e i hollë. M’u kujtua që e kisha parë në një foto ku pozicioni e kish vënë përball një gjerdani blu policësh të rreshtuar në mbrojtje të… prishjes së teatrit. Dukej si një kinez shtatlartë i sheshit Tiananmen në atë shkrepje. Më krijoi të njëjtën përshtypje tek e shihja të ecte, si në shikimin me kokën lart e, të njejtën vetëkanaqësi që i pashë organizatores me syze të errëta. Eshtë padyshim shumë i njohur në këto kohë rezistence. Ndoshta edhe më i njohur se sa në profesionin e vet. Në mos gabohem është aktor.
Makinat vazhdojnë të taposen mbas njëra-tjetrës, indiferente për fatin e këmbësorit.
“Unë ju q* motrën të gjithëve!”
Një zë metalik i një djali te të tridhjetat, veshur më një këmishë me kuadrata, flokët qethur shkurt e vende vende jo uniform, u ndie pranë veshit të aktorit. E kapi për një moment gafil. Pati si një shkrehje në atë ecjen e tij kokëlartë. Pastaj qeshi e gjeti një korridor mes makinash. Gati si i turpëruar kaloi në trotuarin e rrugës drejt teatrit, duke iu shmangur teatrit absurd, që ofron e përditshmja e anës tjetër të trotuarit… (lm)