Nga Sokol Paja

Është shumë e dhimbshme që edhe pas 30 vitesh “demokraci” shfaqen publikisht qëndrime dhe interpretime tipike komuniste në ballafaqimet e çështjeve të diskutueshme publike. Drejtori i Policisë së Shtetit Shqiptar dha një leksion marksist online teksa raportonte për çështjet e sigurisë në Kuvendin e Republikës. Njësoj si fryma e Feçorr Shehut në Ministrinë e Brëndshme dhe në hetuesinë komuniste, Ardi Veliu tha se shkelësi i ligjit një fëmijë 15 vjeçar kishte nënën me probleme morale dhe për këtë shkak, policia e shtetit veproi drejtë duke tejkaluar ligjin e dhunuar barbarisht një fëmijë. Diskutim tipik moralist komunist. Diskutimi në publik i një prej Drejtorëve më të tëndësishëm në shtetin shqiptar ishte një halabakëri dhe mizere e vërtetë. Një diskutim tipik i luftës së klasavë në komunizëm: nëna imperialiste e revizioniste me moral të degjeneruar, djali pjellë e obskurantizmit reaksionar, mbajtja e biçikletës në pandemi shfaqje e huaj borgjeze, vetëm ajo që na mëson partia e Ardit është rruga e drejtë e revolucionit të masave, forcat e Ard Veliut që shkallmojnë teatrin e tentojnë të vrasin artistët janë prijësit e revolucionit proletar etj. Është e turpshme dhe e papranueshme që një polici në kundërshti me ligjin dhe të drejtat themelore të njeriut merret dhe bën moral në një kohë që duhej të ndëshkonte shkelësit e ligjit brënda radhëve të saj. Vetëm komunistët shqiptarë e bënin këtë maskaradë duke gjykuar e shkatërruar familjet shqiptare. Veliu thotë se nuk ka rëndësi nëse fëmija 15 vjeçar ka gabuar, por meqë ka një nënë pa moral, o burra ta internojmë, ta dhunojmë, ta baltosim publikisht fëmijën, njësoj si në komunizëm para 60 vitesh. Policia na përcakton sot se çfarë është e moralshme dhe jo. Veliu merr kompetencat e Kryeipeshkëvit dhe Imamit. Mësimi i tmerrshëm online që erdhi prej drejtor Veliut ishte: ne nuk pyesim për ligj dhe të drejta ama moralin ta kemi lart siç na mëson partia dhe shoku Enver.