Doni tu bini në sy për mirë kryeministrit dhe kryebashkiakut? Botoni këtë foto! Do fitoni nje pension special, nje favor, një vend pune të hajrit për vete ose për kalamajtë, ndonjë lejë të vogël ndërtimi, madje dhe ndonjë cash-bonus në zarf. Qeveria ka thes të madh. Po aq të madh e ka përfituesi i gati 70 mijë metra-katrore truall publik në zemër të vendit! Pra jepini sa s’është vonë. Eshtë koha e triumfit të përkohshëm të zullumit e mashtrimit. Rreshtohuni në anën e shkatërrimit! Dhe duroni gjithë jetën, brez pas brezi, emrin tuaj në pllakën e turpit të “një jete të re që lulëzon gërmadhash”
Dy përfitime llamburisin në krye të herës në ngulmimin qeveritar për të prishur kompleksin e Teatrit kombëtar, ashtu si dhe për stadiumin:
1. Etja për fitime të paligjshme
2. Krijim fals i vitit zero
Pra kur të ikin, të jenë me xhepin plot dhe të ngelin në histori. Nuk ka trashëgimi para tyre, as kulturore, as sportive as urbanistike. Gjithshka fillon me ta! Prandaj manipulohet me cilësine ekzistuese të godinës për të përligjur pikërisht rrafshimin e saj. Dhe djallëzisht propaganda qeveritare po i ndan njerëzit në dy kampe: një që vdes për godinën e kalbëzuar dhe tjetri kamp që do godinë të re dhe s’pushon së habituri me ata që duan të atrofizuarën.
Kjo ndarje është arritja më e madhe e qeverisë në këta 20 muaj që u dënua me rrënim kompleksi i Teatrit Kombëtar.
Sot çdo kontribut në mbrojtjen e godinës, sado i vogël, politik ose jo, është i mirëpritur si respekt jo vetëm ndaj trashëgimisë, por në rradhë të parë ndaj vetes.
Në këtë moment të gjithë po shfaqen si arkitektë, ndërtues e profesionistë të akustikës e hapesirës së duhur për të bërë teatër duke rënë të gjithë njëherësh në rrjetën “e pafajshme” të elementëve teknikë.
Diskursi nuk duhet të jetë teknik, por moral! Të gjitha manovrimet e qeverisë, përfshi ligjin special dhe blerjen e heshtjes, mosveprimit apo dhe qënien aktiv pro-prishjes, kanë një problem të madh moral. Justifikimet teknike apo dashuria e papritur për artin dhe modernen, janë thjesht kopertina e mbulimit të nje afere të shëmtuar përfitimi të paskrupullt.
Prandaj sot TK nuk është më thjesht një godinë, por një kauzë që ndan me thikë ndershmërinë nga vjedhja!