Republikani Lee Zeldin kërkon përgjigje për lidhjet e Sekretarit të Shtetit Anthony Blinken me miliarderin e majtë, Soros

Pyetjet kanë filluar të shtohen në Kongres mbi raportet e fundit që zbulojnë ndikimin e George Soros në administratën e demokratit Joe Biden, shkruan ‘Neon Nettle’.

Siç është raportua edhe më parë, Sekretari i Shtetit i Biden, Anthony Blinken ka lidhje të thella familjare me miliarderin e majtë Soros. Lidhjet u zbuluan nga gazetari Matt Palumbo në librin e tij: “Njeriu prapa perdes: Brenda rrjetit sekret të George Soros”.

Sipas Palumbo, marrëdhënia ka të ngjarë të fuqizojë Sorosin që të ketë ndikim të drejtpërdrejtë mbi administratën e Biden dhe politikën e Departamentit të Shtetit.

Gjetjet në këtë hulumtim kanë ngritur shqetësime të mëdha në Kongres. Pas zbulimeve, kongresmeni i New York, republikani Lee Zeldin ka kërkuar për herë të tretë fakte nga Sekretari Blinken në lidhje me sanksionet e Departamentit të Shtetit kundër ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

Berisha njihet si një kritik i zëshëm i George Soros si dhe e ka akuzuar publikisht miliarderin e majtë në shumë raste, sipas Palumbo.

Blinken, ka të ngjarë jo rastësisht, ka lidhje të ngushta familjare me Soros.

Këto lidhje me Soros ngritën disa ‘flamuj të kuq’ kur Blinken sanksionoi Berishën në muajin maj të këtij viti.

Lidhur me pyetjen e tij për ndonjë informacion mbi “korrupsionin domethënës” të pretenduar nga Blinken ndaj Berishës, Zeldin shkroi më 24 nëntor: “Kanë kaluar 5 muaj që kur kam bërë kërkesën e cila është në thelb më shumë se koha e mjaftueshme për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate.

Kjo është tani kërkesa ime e tretë për informacion shtesë që nga ngritja e çështjes së sanksionimit të Sali Berishës, me Sekretarin Blinken gjatë seancës dëgjimore të Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve më 7 qershor 2021.

Kongresi luan një rol të rëndësishëm mbikëqyrje për degën ekzekutive duke përfshirë Departamentin e Shtetit, megjithatë zyra ime ka marrë jashtëzakonisht pak detaje në përgjigjen ndaj pyetjeve të mia.

Është e papranueshme dhe e dyshimtë që Departamenti i Shtetit nuk e ka përmbushur mjaftueshëm këtë kërkesë për informacion shtesë në kohën e duhur dhe në vend të kësaj ka zgjedhur të ngadalësojë një kërkesë të kongresit për transparencë”.