Sali Berisha

Kjo gjykatë, vegël e Edi Ramës, po përdoret për të masakruar arritjen më të madhe të shqiptarëve!

FJALIMI I PLOTË

Një përshëndetje të përzemërt për ju luftëtarë të lirisë që nisni sot ditën në revoltën tuaj kundër diktaturës, që nisni sot ditën me revoltën në mbrojtje të vlerave të lirisë.

Miqtë e mi, në jetën time unë kam patur privilegjin që t’i shërbej Shqipërisë në postet më të larta. Kam shërbyer si president, kam shërbyer si kryeministër. Kjo karrierë e gjatë në poste publike zhvillon tek njeriu natyrën e tij të dytë për respektimin e ligjit. Zgjohesh me ligjin, punon gjatë gjithë ditës me ligjin, fle me ligjin dhe vetëm me ligjin vazhdon jetën e përditshme.

Për Sali Berishën, ligji ka qenë gjithmonë më shumë se rregull i shkruar. Ai ka qenë thuajse një përcaktim gjysmëhyjnor.

Një porosi kam patur gjithmonë për bashkëpunëtorët e mi dhe nuk jam lodhur kurrë duke përsëritur: Respektoni ligjin, respektoni ligjin, respektoni ligjin!

U bënë vite tashmë që armiq dhe kundërshtarët e mi kanë nxitur hetime shterruese ndaj meje, dhe ka një arsye, pse kaq pas shumë kohësh, pas kaq pqrpjekjesh nuk kanë gjetur dot asnjë fakt, asnjë provë, asnjë shkelje në mijëra e mijëra vendime të Sali berishës, sepse unë gjithnjë kam respektuar ligjin dhe vetëm ligjin.

Unë kam respektuar ligjin me bindjen më të thellë se ai respekt është mënyra më e sigurtë për garantimin e lirive tuaja, për funksionimin e shtetit ligjor pa të cilin nuk ka dhe nuk mund të ketë demokraci.

Kështu që, në këtë aspekt mund t’u them para jush sot se vështirë të gjendet një tjetër të ketë konsideratë më të lartë se sa unë për ligjin. Ky është fakt, por sot më shumë se kurrë është koha që secili prej nesh duhet të kujtojë diçka thelbësore që duket se është harruar.

Çfarë është ligji të dashur miq?

Ligjet, Kushtetuta, gjykatat janë të gjitha instrumente për të garantuar liritë dhe të drejtat e njeriut, dhe kjo është e thjeshtë. Ashtu si kirurgu ka bisturinë në dorë për të shpëtuar jetën e të sëmurit, zyrtari ka ligjin në dorë për të garantuar jetën e njerzve. Por meqënëse përmenda bisturinë, çdo njeri e di se ashtu si kundër bisturia shpëton jetë në duart e mjekut, bisturia mund të marrë jetë në duart e kriminelit.

E njëjta gjë ndodh edhe me ligjin. Në duart e zyrtarit të përgjegjshëm ligji garanton të drejta dhe liritë e njeriut. Në duart e kriminelit, ligji është arma më eficente për shtytjen e lirive dhe asgjësimin e të drejtave të njeriut. Mos e harroni kurrë këtë!

Ishte me gjykata, që Adolf Hitleri urdhëronte persekutimin e hebrenjve. Ishte me gjykata që Enver Hoxha urdhëronte burgosjen dhe ekzekutimin e armiqve të tij. Është me gjykata që Putini burgos sot opozitën e vendit të tij. Është kjo gjykatë mbrapa meje, mbrapa nesh, vegël e Edi Ramës, e cila sot po përdoret njëlloj si bisturia në duart e kriminelit, për të masakruar arritjen më të madhe të shqiptarëve, simbolin e pluralizmit politik.

Të dashur miq!

Gabimi më i madh që mund të bëjë qytetari është ta marrë ligjin të mirëqenë, të marrë liritë e tij të mirëqena. Kosto e këtij gabimi është vetë liria. Njeriu i lirë është ai që respekton dhe zbaton ligjin, por gjithmonë duke qenë vigjilent mos ai ligj po shpërdorohet kundër tij. Nga ana tjetër, vetëm skllavi do pranonte që gjykata që shkelin ligjin, që shkelin të drejtat e tij, që shtypin liritë e tij, që përcaktojnë fatin.

Kjo është diferenca e njeriut të lirë dhe skllavit. Kështu që, a ka njeri të lirë sot që të mos pranojë se shumica e demokratëve ka zgjehdur si kreun e tyre, si lider të Partisë Demokratike Sali Berishën?

Kjo është e faktuar me dy palë zgjedhje dhe tre votëbesime. Kjo është e faktuar me mbi 500 mijë vota, jo më larg se 7 muaj më parë. Kjo është e faktuar nga proces votëbesimi jo më larg se një muaj më parë.

A ka njeri të lirë sot që të mos pranojë se Partia Demokratike, vula, sigla, selia e saj u përkasin demokratëve dhe vetëm demokratëve? A ka njeri të lirë sot që të besojë, se gjykata dhe jo demokratët duhet të vendosin se e kujt është Partia Demokratike, vula, logoja e saj, se kush kryetari i Partisë Demokratike? A njeri sot që pajtohet se logo e partisë më të madhe opozitare të vendit mund të jepet sikur të ishte një plaçkë një njeriu që ka tradhëtuar gjithçka, duke nisur nga qënia e tij gjer tek mbështetësi i fundit i tij?

A ka njeri të lirë sot që të menojë që Lulzim Brava do bëjë një opozitë duke iu dhënë simboli e Partisë Demokratike? A ka njeri të lirë sot që të tresi rrëmbimin nga gjykata të simbolit të PD? Cili është ai skllav që thotë se ky vendim duhet respektuar vetëm pse doli nga gjykata, armë e diktaturës së re, e diktaturës së bandave, diktaturës së krimit? Cili është ai skllav që do lejojë një gjykatë në shkelje të ligjit të konfiskojë simbolin e partisë më të madhe opozitare, vulën e saj? Cili është ai skllav që do lejojë një gjykatë në shkelje të ligjit, me urdhër të Edi Ramës, t’i konfiskojë Shqipërisë opozitën, për të cilën ka nevojë, siç ka nevojë zogu për ajrin për jetën e tij? Cili është ai skllav që do lejojë një gjykatë në shkelje të ligjit të varrosë pluralizmin në Shqipëri?

Po ky akt ndodh vetëm e vetëm që të kemi një Shqipëri pa opozitë.

Jo vetëm demokratët, por edhe çdo shqiptar që pajtohet me këtë vendim, do pranojë një nënshtrim poshtërues. Do pranojë një shkelmim të lirive dhe të të drejtave, një agresion ndaj të drejtave të tij. Janë 600 mijë shqiptarë që këtë vendim nuk mund ta pranojnë kurrë. Janë 2 milionë shqiptarë që me këtë vendim duan t’i lënë pa një opozitë për t’i mbrojtur një regjim që ka vjedhur qindra e miliona haptas me inceneratorë, qindra milionë të tjerë me aferën e sterilizatorëve, qindra e qindra milionë të tjera me çmimet e larta të rrugëve dhe punëve.

Dhe nuk është ky sulmi i vetëm që po i bëhet opozitës nga gjykata. Por prap sot gjykata do vendosë për masat ndaj Sali Berishës.

Mirë, dakord. U shkel Kushtetuta, duke kërkuar heqjen e lirisë për Sali Berishën pa kaluar në Kuvend. Gjithashtu, u shkelën ligjet dhe rregullorja e vendit në mënyrën se si u votua heqja e imunitetit të tij. Nuk po përmend as standartin e dyfishtë antiligjor të Gjykatës Kushtetuese. Le t’i lëmë mënjanë këto, por më thoni ju mua.

Pse u dashka kyçur pa asnjë provë, fakt apo dokument në shtëpi Sali Berisha? Vetëm e vetëm se i kall bashke me ju tmerrin, datën monstrës së pluralizmit, bastardit të xhelatëve të diktaturës komuniste, Edi Ramës.

Pse u dashkan ndaluar komunikimet publike të Sali Berishës? Do të më falni, do t’i perifrazoj një fjalë zonjës Rama, e cila pak vite më parë mblodhi gazetarët në Pallatin e Brigadave dhe iu lexoi fjalimin e gjilpërave të helmuara. I kishte ftuar si mikesha, por vetëm sa nuk i përcolli si Makbethëza. Iu tha, se ju me artikujt tuaj, i bëni gjilpëra helmi burrit tim, por edhe mua.

Kështu që, problemi i tij është se denoncimet tona i ka si helm se është mëkatar. Por natyrisht, nuk mund të bëhet fjalë për një grua, për një vajzë të korruptuar në Shqipëri pa cituar thjeshtrën e tij, e cila pasurohet ditën dhe natën, kur fle dhe kur zbavitet vetëm e vetëm falë njerkut të artë nga i cili fiton çdo tender dhe asgjëson çdo konkurrent.

Nuk mund të flitet për një grua të korruptuar, kur nuk përmendet Linda, që kritikat i merr për helmime, në një kohë kur fiton me paratë e donatorëve çdo projekt të bashkëpunimit me qeverinë, që të gjitha këto në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim Kushtetutën.

Ndaj dhe ata mendojnë se duke më hequr të drejtën e komunikimit, do shpëtojnë nga kritikat, do shpëtojnë nga sulmet e merituara.

Miqtë e mi!

Sot ne duhet të kërkojmë vëmendjen e çdo shqiptari se kur gjykatat nuk garantojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, por përdoren si armë kundër opozitës, çfarë ndodh? Kjo është diktaturë.

Kur partisë më të madhe i konfiskohet haptas logoja dhe vula, çfarë ndodh? Kjo është diktaturë.

Kur logoja e partisë më të madhe opozitare kërkohet t’i jepet një personi që dihet botërisht se është peng i Edi Ramës, çfarë ndodh? Kjo është diktaturë.

Kur kreu i opozitës pa asnjë akuzë burgoset dhe i ndalohen takimet dhe komunikimet, çfarë ndodh? Kjo është diktaturë.

Shqiptarë zgjohuni se po ndodh ajo që ka ndodhur në Rusinë e Putinit, me Bjellorusinë e Lukashenkos, me Venezuelën e Maduros dhe juntën ushtarake të Mianmarit. Diktaturë. Jo diktaturë si ato të vjetrat me kampe përqendrimi, por diktaturë moderne me gjykata që burgosin opozitën, diktaturë me media të blera dhe terror ndaj tyre, diktaturë me kushte të kalkulueshme për të përzënë shqiptarët nga trojet e tyre.

Për të gjitha këto, kjo nuk është betejë e Sali Berishës, ndonëse unë po burgosem në mënyrën më të padrejtë. Kjo nuk është një betejë për opozitën, ndonëse de facto partisë më të madhe opozitare i është vjedhur simboli dhe i arrestohet lideri. Kjo është betejë për lirinë e shqiptarëve, dinjitetin e tyre apo nënshtrimin e tyre. Një betejë për vetë ekzistencën e Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

A do e fitojmë ne këtë betejë? Absolutisht po.

Në rrugën tonë në kishim një pengesë. Kjo pengesë ishte se shqiptarët ishin të mashtruar. Diktatura po vepronte fshehtas gjatë këtyre 10 viteve, dhe shqiptarët të impenjuar në jetën e tyre nuk kishin plotësisht të qartë se ç’po zhvillohej në qenien e tyre, në shoqrinë e tyre, në vendin e tyre. Por me aksionin tonë opozitar, me mosbindje civile këtë vit nxorrëm nga errësira në shëmtinë e saj në dritë se cila ishte diktatura e Edi Ramës. Kjo ishte fitorja jonë e parë më e madhe. Është kjo fitore që tani shtron rrugën për fitoren tonë të ardhshme, ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike.

Por miqtë e mi, pa iu treguar të vërtetën shqiptarëve, pa i bindur ata për të vërtetën në të cilën jetojnë, nuk mund të rrëzohet Edi Rama, sepse pa këtë fitore, mashtrimi i tij tek shqiptarët do të ishte edhe më i fortë. Sytë e shqiptarëve do të ishin ende të mbyllur me leckë siç ishin vite më parë.

Kemi marrë kritika vërtetë, por çdo humbje sipërfaqësore e opozitës, në thellësi ka qenë një fitore drejt objektivit tonë për nxjerrjen në shëmtinë e saj të diktaturës së Edi Ramës.

Hymë në zgjedhje duke ditur me bindjen më të plotë se zgjedhje me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë. Por hymë në zgjedhje për të pregatitur, për të regjistruar, për të dokumentuar çdo shkelje të këtij armiku të egër të votës suaj. Iu treguam shqiptarëve dhe botës se me Edi Ramën, ja ku janë faktet, dokumentet, vendimet, zgjedhje nuk mund të ketë.

Zgjedhjet në Shqipëri nuk janë gjë tjetër, vetëm një farsë si në Beograd, si në Rusi.