Nga Ilirjan Blloshmi

Prapa Teatrit të Operas dhe Baletit, ku deri më sot ka qenë një park për fëmijët, ka nisur puna për ndërtimin e një kulle të re.
Në këtë hapësirë të gjelbër do të ndërtohet një kullë prej 185 metrash, duke shënuar kështu edhe një rekord për ndërtesën më të lartë të Tiranës.

Kompania ndërtuese do të jetë Nova Construction 2012, ndërsa studio arkitekturore daneze Cebra ka ideuar ndërtesën me 58 kate mbi tokë dhe 7 të tjera nën tokë.
Në rrjetet sociale ka pasur zemërim, pasi në Tiranë po zhduket dhe një park tjetër.

Interesant ëshstë fakt se nga opozita nuk ka reaguar askush.
As Sali Berisha me “Foltoren”, as Ilir Meta, as Lulzim Basha, as Gazment Bardhi, Jorida Tabaku e kështu me radhë.

Mediat e tyre jo e jo.

Heshtje totale, për një ndërtim që po kruhet në qendër të qytetit, duke i zënë vendin një parku.
Tani lind pyetje pse nuk ka reaguar Sali Berisha dhe kush ia ka kyçur gojën, duke qenë se ai nuk lë njeri pa marrë në gojë dhe reagon edhe për çështjet më banale të mundshme.

Si ka mundësi që në këtë rast po heshti ai, gjithë opozita dhe mediat e tyre?
Gojët e liga, por dhe logjika, thonë se në këtë ndërtim kanë pjesë edhe biznesmenë të afërt me “Foltoren”.
Ndaj dhe e kanë qepur gojën.

Sepse ndryshe nga sa thonë, kur vjen fjala tek përfitimet, ata janë gati të shesin çdo kauzë.
Madje dhe atë të opozitarit të flaktë.
Dhe Rama e di më mirë se kushdo këtë gjë.