Biblioteka e Vatrës sot, është fytyra e Vatrës!…Klithëm për shpëtimin e Bibliotekës së Vatrës

Refleksion kritik nga Jozef Radi

Me Idriz Lamaj, ndër figurat me kontribute tejet pozitive prej vitesh në diasporë, një arkivë e gjallë e pesëdhjetë viteve të fundit e historisë dhe kulturës shqiptare në mërgatë, na është bërë thuajse e zakonshme ta pijmë bashkë një “kafe të gjatë”, diku në Arthur Aveny të Bronx-it, ku gjuha shqipe e dyqanet shqiptare janë tashmë familjare, e ku edhe një italian i hershëm me mustaqe, i quajtur Xho, me origjinë abruceze e që shet prej një jete fruta-perime, me foli gjithë qejf me fraza shqipe emocionuese, refren i një Amerike ku komuniteti shqiptar bëhet përditë e më i madh.
Bisedat me zotin Lamaj më japin gjithnji kënaqësinë e veçantë të ndejtjes bashkë, sepse mëson çdo herë diçka të të re, kupton se në historinë e Vatrës ai ka kontribute që ai i quan “modeste” kurse unë nga më të spikaturat, bile kësaj here, në bisedë e sipër, ndërsa po flisnim për “Diellin” e Konicës, “Shejzat” e Koliqit dhe “Koha Jonë” e Lec Shllakut dhe i dëshmova për punën që po bëja për dy nga revistat më të rëndësishme të botuara në Itali gjatë gjysmës së dytë të shek. XX, ai më ftoi ta gjejmë pak kohë e të shkojmë ta vizitojmë bibliotekën e Vatrës, duke më sugjeruar se materiale me mjaft interes mund të gjeja edhe aty në bibliotekë. Zoti Lamaj me premtoi se aty mund të gjenim gjëra të rëndësishme, duke më thënë se: “Vatra vazhdon ta ketë një bibliotekë mjaft të pasur, edhe pse kushtet në të cilat ajo ndodhet, lenë shumë për të dëshëruar…!” 
Kështu, të premten e datës 2 qershor 2023, së bashku me zotin Lamaj me vullnetin e zotit Sokol Paja, prej pak kohësh kryeredaktor i “Diellit”, i cili u tregua dashamir për t’na ofruar ndihmë, edhe pse i ftuar në Festivalin e Ulsterit, na dha mundësi që së bashku me zotin Lamaj për rreth një orë e gjysëm, të krijoja një ide rreth bibliotekes së Vatrës, edhe pse ajo çka po interesohesha më rezultoi tejet e vështirë për t’u gjetur, për arsyen e thjeshtë: Biblioteka e Vatrës prej kohësh përjeton një indiferencë të frikshme prej drejtuesve të saj!

Biblioteka e Vatrës, 2 qershor 2023

Biblioteka e Vatrës, 2 qershor 2023

Duke krijuar një ide trishtues, për mos të thënë klithëse, vërejta se prej kohësh ajo kishte probleme të sistemimit, të magazinimit, të kodifikimit, të vlerësimit, po edhe të krijimit të hapësirave për lexime e studime, të një raporti ndryshe me komunitetin shqiptar, gjithnjë në zgjerim e në shkollim të vazhdueshëm… Simbas mendimit tim, besoja të gjeja një Bibliotekë të Vatrës e cila mund të shërbente si qendër studimore që mund të funksiononte në ditë të caktuara të javës, jo vetëm për anëtarët e saj po edhe për studentë, për dashamirës të librit, për njerëz të kulturës, për studiues që bëjnë punë kërkimore, po edhe për kureshtarë që mund të dëshironin të bënin qoftë edhe një vizitë kënaqësie te kjo pasuri e shumë brezave, që e kanë krijuar Vatrën & Diellin, dy marka ende të patjetërsueshme të kulturës e historisë shqiptare… të këtyre dy shekujve.
Ndërsa ishim brenda me zotin Lamaj, u ndjemë në një ambient tejet të ngushtë, të lagështitur, jo komod dhe një rrëmujë biblike, mbasi biblioteka ndodhet në beismenin e ndërtesës ku prej vitesh ndodhet e vendosur Vatra, se një përmbytje e librave ka ndodhur e askush s’ka ndonjë inventar të asaj çka është hedhur apo çka është shpëtuar…
Në të njëjtën kohë vërejtëm se asnjë dorë e kujdesshme, asnjë sy dashamirës s’paska kaluar nëpër bibliotekë. Ajo sot është thjesht një hangar pa inventar, një fatkeqsi e ende e pashpallur, një dhimbë e fshehur!
Por fati tragjik, ashtu siç ndodhi vite më parë me Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, ka ndodhur e njëjta gjë edhe me Bibliotekën e Vatrës. Mbasi të dyja “i kanë shetitur përroje ujrash të zeza…” e kemi parë jo vetëm libra të nderuar nëpër tela, por shumë prej tyre kanë përfundur edhe në kazanët e zinj plehrave…

Biblioteka e Vatrës, 2 qershor 2023

Biblioteka e Vatrës, 2 qershor 2023

Një tragjedi e përhershme, që vazhdon ta ndjekë kulturën shqiptare, sa herë është fjala për librat…!!
Ndërsa Zoti Lamaj përpiqej diçka të më shpjegonte, të më ndihmonte… diçka nisëm ta sistemojmë dhe në at gjendjen trishtuese të së vërtetës së bibliotekës, të besojmë se jo diçka duhet të rregullohet, por patjetër kjo duhet të ndodhë dhe shpejt! Ishte sinqerisht e trishtë, ndërsa i shprehja ndonjë opinion zotit Lamaj, ai ma miratonte në heshtje me at ironinë e tij të hollë… ma theksonte se “diçka e mirë ka me ndodhë me siguri”, sepse e kishte fjalën për ndonjë shëndritje të mendjes sonë kolektive, prej ndonjë Zoti ende të paefektshëm…
Po zakonisht kjo “diçka e mira” ndër ne ka një hap të ngadaltë, të patrazuar dhe kaq indiferent, sa nuk mbrrin kurrë!!!
Kështuqë, ideja e shpëtimit të bibliotekës së Vatrës, bëhej si ajo e shpëtimit të “Ushtarit Rayn”, që kur shtrohet pyetja për fajtorët, e një situatë të tillë të gjithë shfaqen si poncpilatër që duke rrudhosur buzë të gjenjejë me njëmijëenjëqindenjizetenji justifikime, vetëm për mos ta pranuar, apo për ta anashkaluar atë çka është e vërteta e Bibliotekës së Vatrës sot… Ku jo thjesht indiferenca, po krimi ndaj kulturës dhe historisë sonë të përbashkët, ndjehet i ulur këmbëkryq, bile është sfidues…!!
Kur dolëm prej aty, ndjeva një dhimbje të thellë, një ulërimë që nëse s’mbrrin te lexuesi, ka mbetur mbrenda teje. Çdo lloj bisede dhe çdo lloj kuptimësie e bisedës u bë e palezetshme, sepse ndodhesh përballë rrudhosjes së shpatullave apo ngritjes së duarve përpjetë, si për të dëshmuar se fajësia është ndër të tjerë e aspak te ndonjëri prej nesh.
U ndjeva fajtor, at çast që dola prej Bibliotekës së Vatrës, ashtu siç u ndje edhe zoti Idriz Lamaj dashamiri i ftesës, ashtu siç u ndje edhe zoti Mark Merrnaçaj, i cili mbas një ore, erdh aty e tha: “Të gjithë ata libra n’etazherë, janë të sistemuar prej meje. Gjithë çka shihni në këmbë, është puna ime dhe punëtorëve të mi, e askush s’ka shprehur qoftë edhe mirnjohjen më të thjeshtë për këtë që kam bërë…!” – sepse të shpëtoje librat e Vatrës, për Markun kishte qenë përgjegjsi e përkushtim, që ka shkuar hupë…!!
Unë mendoj se Biblioteka e Vatrës sot, është fytyra e Vatrës!…

Një tragjedi e përhershme, që vazhdon ta ndjekë kulturën shqiptare, sa herë është fjala për librat...

Një tragjedi e përhershme, që vazhdon ta ndjekë kulturën shqiptare, sa herë është fjala për librat…

Poshtë e mbushur me rrëmujë, me pluhur e çorodi… lart e mbushur me grindje, përjashtime, intriga… Gjithkah gëlojnë njerëz që kërkojnë ta grabisin historinë e saj, lavdinë e saj e jo të merren dora-dorës me zgjidhjen e problemeve që e kanë kapur për fyti. Duket sikur “Vatra” sot është luftë për pushtet dhe jo për t’i kryer disa shërbyer modeste komunitetit, e për sistemimin dhe zgidhjen dora-dorës të mjaft problemeve të saj të mbartura në kohë… dhe mungesës totale së gjetjes së një konsensusi, për ta çuar përpara atë e për t’i ruajtur atë fytyrë që ka sot e 111 vjet.
Pata rast të ndiqja edhe nji pjese nga Festivali treditor i Ulsterit; kremtimin e dhjetëvjetorit të Degës së Vatrës në Queens, nga Dr. Skënder Myrtezani, po edhe Festivalin Shqiptar që organizohej në Greenburgh, në të cilat më dëshmuan me konkretësi se kur punohet e nëse realitetin shqiptar të emigracionit e dominon qytetaria, dashamirësia dhe përkushtimi e jo intriga, prapaskena dhe fyerja… gjithçka mund të bëhet më mirë, e gjithçka mund të ecë më shpejt.
Bisedën për gjendjen e Bibliotekës së Vatrës e bëmë edhe me Sokol Pajën, në disa seanca. Ai shprehu mendimin që Biblioteka është në kushte dëshpëruese, por theksoi edhe diçka: “Unë jam i vetëm dhe i pambështetur për të bërë diçka më mirë e diçka më shumë!” Atëhere çeshtja shtrohet: A mund të mos lihet i vetëm ai dhe a mund t’i krijohet një mbështetje?! A mundet dikush të vihet në dispozicion që biblioteka e Vatrës të funksionojnë së paku dy ditë në javë, për lexuesit dhe studiuesit, sepse duhet patjetër të jetë dikush me përgjegjësi ligjorë dhe morale ruajtjen, katalogimin dhe mirëmbajtjen e gjithë materialeve të Bibliotekës, për ta çuar përpara këtë mison të shenjtë…
Që e vërteta e kësaj historie të mos mbyllet këtu: A është ndokush vullnetmirë që të mund të ndërmarrë një fushatë për shpëtimin e Bibliotekës së Vatrës, që të gjithë si bashkësi, qoftë edhe me shifra modeste të kontribuojnë, që të mos kalojnë nëpër kanalet e errta të intrigave apo interesave personale të çastit, por të shkojnë në ruajtjen, mirëmbajtjen dhe shpëtimin e Bibliotekës së Vatrës, e cila sot është pasuria më e madhe kombëtare e kulturore, jo vetëm e shqiptarëve të Amerikës…
Unë besoj se shqiptarët do ta gjejnë një mënyrë për ta shpëtuar jo vetëm Bibliotekën e Vatrës…!!

Yonkers, 3 qershor 2023