Para pak ditësh, më 18 dhjetor 2023, “në kuadër të Ditës Kombëtare të Diasporës dhe Ditës Ndërkombëtare të Emigrantëve” u zhvillua mbledhja e të ashtuquajturit Këshilli Koordinues i Diasporës, mbledhje që, sipas njoftimit në media, “këtë herë ka përkuar edhe me mandatin e dytë të këtij këshilli”. Në njoftim mëtohet se anëtarët e KKD janë të zgjedhur. Në të vërtetë, KKD është krijuar me vendim të këshillit të Ministrave (VKM) dhe anëtarët e tij janë të emëruar. Është tjetërgjë të jesh i zgjedhur apo e zgjedhur dhe tjetërgjë të jesh i përzgjedhur apo e përzgjedhur. Gjatë shfletimeve në internet mësojmë se anëtarët e KKD, kryesia e tij e përbërë nga kryetari, nënkryetari, sekretari, kandidohen nga njerëzit e Ramës dhe emërohen nga vetë Rama. Faktet flasin vetë: të dhënat për KKD mund të gjenden vetëm në platformën qeveritare https://keshilli.koordinues.diaspora.gov.al/. Këtu lexojmë se KKD u formua me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 340, datë 06.06. 2018. Në këtë vendim “për përcaktimin e rregullave të hollësishme për kushtet dhe mënyrën e zgjedhjes së përfaqësuesve të Këshillit Koordinues të Diasporës” përcaktohen kriteret, në fakt, jo të zgjedhjes, por të përzgjedhjes së kandidatëve për në Këshill. Fjala “zgjedhje” nënkupton që kandidati për në KKD të jetë votuar nga Diaspora në vendin përkatës prej nga vjen ai. Por në pikën 5 të vendimit thuhet: “Ambasadorët e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë, të akredituar jashtë vendit, nëpërmjet ministrit përgjegjës për punët e jashtme i propozojnë ministrit përgjegjës për diasporën kandidatët për Këshillin Koordinues të Diasporës”. Në kohën kur merrej ky vendim, ministri përgjegjës për diasporën ishte Pandeli Majko. Pas suprimimit të këtij posti, vepron Agjencia për Diasporën pranë kryeministrit. Pra, propozimet shkojnë, pa kaluar te ndonjë instancë tjetër vartëse, drejtpërdrejt tashmë te Edi Rama.

Ndërkohë tri kriteret kryesore për përzgjedhjen e kandidatëve për në KKD janë: të jenë të spikatur në fusha të caktuar të veprimtarive; të jenë të dalluar në fushën filantropisë dhe të jenë aktivë në zgjidhjen e çështjeve të diasporës apo vendeve të origjinës; të jenë pjesë aktive e forumeve organizative të diasporës në vendet përkatëse. Me përjashtim të kryetarit të KKD, ndoshta edhe të nënkryetares dhe sekretares, përbërësit e tjerë nuk i përmbushin të paktën dy prej tri këtyre kritereve. Ata nuk i njeh pothuajse askush në vendet perëndimore ku jetojnë dhe nuk kanë asnjë lloj aktiviteti në dobi të diasporës në ato vende. Ata janë anëtarë të KKD vetëm sepse përmbushin kriteret politike në shërbim të interesave partiake të Partisë Socialiste dhe personalisht të Edi Ramës.
Në fjalën e tij të 18 dhjetorit, kryetari i KKD, z. Mark Gjonaj ka nënvizuar “angazhimin që duhet të kenë anëtarët e këtij Këshilli në forcimin e marrëdhënieve të Diasporës me institucionet shtetërore shqiptare”. Pra, synimi i KKD-së është synimi i Edi Ramës për t’i centralizuar marrëdhëniet e Diasporës me strukturat e Edi Ramës. Nga emërtimi “Këshilli Koordinues i Diasporës”, në mënyrë mashtruese për opinionin, mëtohet të jepet ideja se KKD koordinon diasporën në vendet prej nga vijnë anëtarët e tij dhe në tërësi në të gjithë Diasporën.

Që KKD të kishte rolin koordinues të Diasporës ishte e domosdoshme që ai të krijohej dhe të vepronte në mënyrë të pavarur nga qeveria e Shqipërisë. Kjo nënkuptonte që vetë KKD të përcaktonte statutin e saj dhe vetë KKD të përgjigjej para zgjedhësve të tij nga Diaspora mbi bazën e këtij statuti. Nëse ky statut do të njihej nga vendet perëndimore përkatëse, atëherë, pa mëdyshje, statuti dhe vetë KKD-ja do të duhej të njihej nga qeveria e Shqipërisë, cilado të ishte ajo, e majtë apo e djathtë, kushdo që të ishte kryeministër, kushdo që të ishin vartësit e tij, deri te ambasadorët apo punonjësit e tjerë të ambasadave në vendet perëndimore.

KKD nuk ka asnjë lloj sovraniteti ndaj vetvetes. Ai mblidhet një herë në vit pranë qeverisë së Shqipërisë, me përbërje të caktuar nga lart. Mandati i parë ishte 2018-2023, mandati i dytë është 2023- 2028. Më 18 dhjetor KKD u mblodh në ministrinë e Jashtme, me pjesëmarrjen e ministrit të Jashtëm, dy zëvendësministrave të Jashtëm, ministres së Kulturës, kryetarit të Nënkomisionit për Diasporën dhe Migracionin në Kuvendin e Shqipërisë, kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zyrtares nga Ministria e Brendshme e tjerë.

Në mbledhje është folur për votën e Diasporës. Pa asgjë konkrete. KKD-së i është vënë detyrë krijimi “i një bashkëpunimi më të afërt mes institucioneve shtetërore me komunitetet shqiptare kudo në botë”.

Vetvetiu mund të dilet në përfundimin se Këshilli Koordinues i Diasporës është joveprues.

Atëherë cili është dëmi i tij?

Shqipëria është jo larg zgjedhjeve të reja parlamentare. Është i qartë synimi i Edi Ramës që në përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë të mos ketë fare opozitarë. Pjesëmarrjen e mundshme të Diasporës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, Edi Rama e shikon si një telash që mund t’i kushtojë, nëse jo në rezultatet e tij, të paktën në financat e tij, të cilat do t’i duhet t’i shpërndajë në mënyrë edhe më të pakursyer. Prandaj, atij i duhet një instrument politik në duart e tij, siç është Këshilli Koordinues i Diasporës, që do të krijonte përshtypjen e rreme se Edi Rama e dëgjon Diasporën dhe i përmbush dëshirat e Diasporës. Në mënyrë që të shkojë nga një mashtrim në një mashtrim tjetër dhe Diaspora, tashmë për faj jo të tjetërkujt, të mbetet jashtë pjesëmarrjes së saj edhe në zgjedhjet e ardhshme. Shërbimi i Këshillit Koordinues të Diasporës ndaj Edi Ramës është një shërbim i pallogaritshëm miliardësh, po aq është i dëmshëm ndaj Shqipërisë, ndaj Diasporës së Shqipërisë, ndaj fateve të demokracisë në Shqipëri dhe ndaj fateve të brezave tanë të sotëm dhe të ardhshëm