Disa muaj përpara shkresës 2 “kontrollit” të 12 shtatorit 2014 isha informuar se me urdhër të “fyhrerit”, nuk duhej të isha më në krye të Arkivit të Sistemit të Ministrisë së Brendshme. Nuk vlenin as ligjet e as përgatitja profesionale, se dihet shteti jemi tashmë. Ministri Saimir Tahiri kishte thirrur disa herë drejtorin e Inspektimit, Ilir Marko (të cilin e kam ftuar ta pohojë edhe publikisht këtë), për të realizuar urdhrin e “fyhrerit”, sepse ky po zgjaste mbajtjen e një fjalimi “historik” për “hapjen e dosjeve” (“fyhreri” as nuk dinte se ligji ka dalë në vitin 1999), recitim që pritet ta mbajë edhe këto ditë (referuar kalendarit të sektorit të agjitpropit). Kureshtja ime ishte se në çfarë forme do sajonin një proces tërësisht të paligjshëm (aktet e të cilit nuk hynë asnjëherë në fuqi dhe bërë i pavlefshëm nga gjykata tashmë) dhe me pasoja mbi Arkivin. Se që këta e kishin degraduar administratën në pikën e saj më të ulët historike, nuk kisha asnjë lloj dyshimi. E prekja dhe e shihja përditë.

E dija fare mirë që njohuritë e tyre në drejtim të legjislacionit për arkivat dhe informacionit të klasifikuar sekret shtetëror ishin dhe janë për të vënë duart në kokë. I mundja në profesion sa herë të donin. Do kënaqesha madje. Pasi e panë se as nuk kisha ndërmend të trembesha ()futën në lojë edhe SHKB-në, pa e ditur se Arkivi është mbi të dhe jo subjekt i saj) apo jepja dorëheqjen, nisën përpjekjet në dy drejtime: të letrave nga “popullit” dhe të sajimit të diçkaje. Këta që nga mëngjesi e deri në darkë nuk ishin veçse partiakë, madje ushtronin paligjshmërisht funksione shtetërore, më “akuzonin” (pa asnjë provë) për “lidhje partiake”, gati-gati për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”.

Këto shkresa që po bëj publike me rastin e 5 vjetorit të përpilimit të tyre, i kam poseduar me vonesë sepse meritonte të kallëzoheshin penalisht në kohën e duhur. Në letrën e parë citohet se Idajet Hoxha i paska bërë letër ministrit duke parashtruar “shqetësimin qytetar” (sigurimsat që kanë shkaktuar gjithë ato krime të shqetësuar! hahaha). Idajeti, një ish oficer i Sigurimit të Shtetit, kishte kryer shkollën e Sigurimit në Bashkimin Sovjetik në vitet 1959-1961, karrierën e kish filluar si oficer roje i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, po i kryente partisë së 1941-t shërbimin e radhës. Nuk kishte nderim më të madh për mua sesa të “nderohesha” nga grupi sigurims sovjetik që as e përfill dhe konsideroj në asnjë milimetër të qenies së tyre. Ajo që dua të theksoj, përveçse pjesës së parë shpifëse të Idajet Hoxhës, ishin pikat që do bazohej “kontrolli”, të tria të paligjshme:

1-Informacioni i klasifikuar. Porositësi nuk dinin as gjënë fillestare që arkivat as nuk nxjerrin dhe as nuk asgjësojnë informacion të klasifikuar. Ngaqë nuk dinin as ta formulonin këtë, hoqën dorë dhe nuk e përfshinë te “kontrolli” në shkresën vijuese.

2-Pyetja me karakter fëminor e qesharak “firmos e vulos” përveç naivitetit dhe padijenisë ishte me përgjigje. E drejta e nënshkrimit të drejtorit të Arkivit të MB është dhënë nga ministri dhe përfshihet në Rregulloren e Brendshme të Arkivit të vitin 2008. Ndërsa “drejtor që vulos” është akoma më humoristike pasi asnjë drejtor në botë nuk ushtron detyrat e sekretarisë dhe nuk mban vulë. Edhe kjo parashihet edhe në Rregulloren e Normave…në MB (si dhe shumë të tjera të nxjerrë nga DPA-ja).

3-VKM-ja nr.432. Kjo ishte e shfuqizuar. Arkivi duke qenë njësi pa buxhet as e njihte dhe as e kishte bazuar ndonjëherë punën e vet te kjo.

Ndërsa njihen si dembelë administrativë, këtë rast u treguan shumë nikoqirë në kohë. Pasi u bë shkresa e parë e datës 12 shtator 2014, brenda të njëjtës ditë niset shkresa e dytë. Mirëpo te ky objekt kontrolli, mungonte ajo pika e parë e nisur gjasme nga “shqetësimi qytetar” për “informacionin e klasifikuar”. Dhe për të ushtrua “kontrollin” kishin gjetur inspektorin Anastas Meçin, që siç dëgjova ishte larguar dy herë nga Policia për shkelje të rënda. Në google nuk i dilte asgjë tjetër përveçse një sherr partiak për numërim vote në kombinat. Sigurisht përfaqësues i partisë së 1941-t. Lëre pastaj t’i gjeje Anastasit ndonjë libër, artikull, punim shkencor, etj.Edhe ky u paraqit po më 12 shtator 2014. Një shtet i angazhuar për të luftuar me një arkivist. Sigurisht humbjen gjithnjë e ka te vetja.

(Do ishte ideale që ky tekst gjatë leximit të shoqërohej me muzikë myzeqare, po duke qenë se nuk e zotëroj fushën e teknikës, ju lutem përfytyrojeni një gjë të tillë).