Nga Alma N. Lico
Në respekt të SHBA-ve dhe demokracisë së konsoliduar qindra vjeçare që ata përfaqësojnë dhe mbrojnë, nuk kisha menduar kurrë se një ditë do të ndjeja shtysën të shkruaja disa rreshta kontestuese për përfaqësuesit e saj diplomatikë në vendin tonë. Jo rrallë herë, prononcimet e veprimet e tyre kanë qenë të paanshme dhe në interes të të gjithë grupimeve politike dhe shtresave të shoqërisë shqiptare, me pasoja këto për të sotmen dhe ardhmërinë e saj. Në mënyrë permanente, e kanë bërë këtë vëzhgim kritik dhe vazhdojnë ta bëjnë çdo ditë analistë/gazetarë/politikanë të ndryshëm.
Por ajo që më ngacmoi sot ishte përgëzimi që amabasadorja Yuri Kim, shprehte për emërimin e ish deputetes, ish Ministres së PS, Valentina Leskaj, në Bordin Këshillues të lëvizjes Kundër Anti-Semitizmit, duke sjellë në vëmendje traditën krenare të Shqipërisë për mbrojtjen e një numri të madh hebrenjsh, në fund të Luftës së dytë botërore. Madje, këtë përgëzim ja kishte shprehur personalisht gjatë një takimi të organizuar për këtë qëllim.

Eshtë e vërtetë që na bën krenarë fakti që dhjetra familje shqiptare strehuan e mbrojtën nga nazistët gjermanë familje hebrenje, duke rrezikuar sigurinë dhe jetën e tyre dhe atë të familjarëve të tyre. Eshtë gjithashtu e vërtetuar zyrtarisht se Qeveria shqiptare e vitit 1943, konkretisht Ministri i saj i Brendshëm, Kol Bib Mirakaj, ka mundësuar emigrimin e mbi 2000 hebrenjve në Italinë e jugut.
Kështu, një urdhër i tij i datës 31 gusht të vitit 1943, detyronte pajisjen me pasaporta shqiptare për të gjithë hebrenjtë që ndodheshin në territorin e vendit tonë në atë periudhë. Përmes pasaportave shqiptare ata mund të udhëtonin e të gjenin strehim në Italinë jugore, pjesë e çliruar në atë kohë prej forcave aleate anglo-amerikane. Ky veprim human rrezikonte shumë pasoja për ata që e ndërmorën, risk që ata e morën parasysh. Faik Quku, autori i librit “Qëndresa Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore” (1941-1944), ka paraqitur disa të vërteta rreth jetës dhe veprës së Kolë Bib Mirakaj. Një moment shumë i rëndësishëm në rrëfimet e tij është refuzimi që Ministri i Brendshëm, Kolë Bib Mirakaj i bëri shumës së parave që hebrenjtë kishin vendosur si shpërblim, në shenjë mirënjohjeje, për shpëtimin e tyre nga nazistët gjermanë.

ULERITESE!!!!!…A e dini ju Zonja Ambasadore se partia e Valentina Leskajt, zhduku dhe persekutoi brez pas brezi ata qeveritarë që ndërmorën veprimin human të shpëtimit të hebrenjve, duke i etiketuar ata tradhëtarë e kolaboracionistë, nofkë kjo që imponohet e përpiqet t´i poshtërojë e denigrojë ende sot e kësaj dite? A e dini ju Zonja Yuri Kim se nuk ka asnjë vullnet politik të hidhet dritë mbi këtë periudhë të historisë së Shqipërisë? Madje, studimi i paanshëm dhe rishkruaja e kësaj periudhe refuzohet me histerizëm nga historianët neokomunistë? A e dini ju Zonja Diplomate se Kryeministri ynë, sot e kësaj dite rreh gjoksin e mburret për këtë veprim human të Shqipërisë, kur me cinizëm nga ana tjetër deklaron se protagonistët e saj ishin në anën e gabuar të historisë!!!!…(sipas tij, në anën e duhur të saj ishte babai i tij, partia e të cilit persekutoi e çfarosi familjet e shtetarëve që shpëtuan jetën e mijëra hebrenjve!!!).
Para se të mbani qëndrime të tilla e shprehni përgëzime të pamerituara, informohuni më parë Zonja Ambasadore, pasi plagosni dhe fyeni shumë persona që ende vuajnë padrejtësitë e atyre që “ishin në anën e duhur të historisë”. PS. Në vijim dokumenti përmes të cilit, Ministri i Brendshëm, Kolë Bib Mirakaj shpëtoi dy mijë hebrenj. Dokumenti është regjistruar, 31 gusht, viti 1943, me numër protokolli 9/110.