Në përvjetorin e pushkatimit të heronjve të revoltës së Qafë Barit, ISKK dhe kryetari i këtij institucioni, Agron Tufa, kanë ngritur për herë të parë një padi penale ndaj vendimeve të shtetit komunist

Krimet e komunizmit në Shqipëri nuk janë dënuar as moralisht dhe as ligjërisht dhe pse ky sistem ka rënë prej 18 vitesh. Për herë të parë është marrë një nismë ligjore ndaj vendimeve të marra nga shteti komunist dhe bëhet fjalë për një padi penale për “krime kundër njerëzimit” në emër të komandantit të kamp-burgut të Qafë Barit, Edmond Caja, i cili sot jeton si një njeri i lirë në Gjermani.

Padia është bërë në emër të një institucioni shtetëror të pavarur, Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunzmit.

Kryetari i këtij institucioni Agron Tufa bëri të ditur se “në emër të ISKK sot, në oren 9.30′, me rastin e përvjetorit të pushkatimit të dy heronjve të Revoltës së Qafë Barit, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli, si dhe të vdekurit ndër tortura, Sandër Sokolit, me përfaqësimin juridik të Studios Ligjore “Cakrani”, në bazë të ligjit 281 të kodit penal, bëra Kallëzimin Penal në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për “krim kundër njerëzimit”, kundër Edmond Cajës, ish shefit të Policisë së Kamp-burgut 311, e mandej Komandant po aty në vitet 1982-1989”.

Padia me dëshmitë e gjalla për terrorin dhe dhunën e Cajës

Dëshmitë e ish-të burgosurve politikë që kanë vuajtur dënimin në kampin-burg të Qafë Barit janë baza e kësaj padie, ku bëhet e qartë se Edmond Caja kishte rol kryesor në terrorin e ushtruar në burgun e Qafë Barit.

Sipas padisë “të gjithë dëshmitarët sot në cilësinë e viktimës të mbijetuar nga burgu famëkeq politik i Qafë Barit (1982-1990), e paraqesin Komandantin e Togës së Policisë së këtij burgu, Edmond Cajën, si një dhunues sadist, që rrihte, torturonte, gjymtonte e dënonte ish të burgosurit e pambrojtur. Ai s’i përmbahej aspak ligjit, sepse rrahja dhe torturat atë e argëtonin. Pas shtypjes së revoltës së të burgosurve të këtij burgu “Qafë Bar” me 22-23 maj 1984, karriera e këtij polici sadist erdhi duke u ngritur. Prandaj po paraqesim shkurtimisht këtu, një trajektore të karrierës së Edmond Cajës, siç gjendet në dosjen e dokumentave të tij.”

17 dëshmitarë të gjallë për torturat fizike dhe psikologjike të Cajës 

Janë të shumta, me dhjetra, dëshmitarët okularë që tregojnë torturat e pashembullta mizore të Komandantit të Togës së Policisë, Edmond Caja, në “Repartit 311”, ose ndryshe, kamp-burgu i minierës së Qafë-Barit, Pukë. Të gjithë dëshmojnë realitetet e dhunës, rrahjet dhe gjymtimet.

Hysen Haxhia – ish i burgosur i këtij kamp-burgu është i gatshëm të dëshmojë për terrorin policor gjatë revoltës dhe për episodin, se si gjatë shtypjes së revoltës, Komandanti i Togës së Policisë së Burgut të Qafë-Barit, Edmond Caja, torturoi për vdekje të borgosurin Sokol Sokoli, të cilit i thyen gjatë torturës shtyllën kurrizore, si dhe Tom Ndojën duke e lënë të gjymtuar, të dy në vdekje klinike.

Bedri Blloshmi – ish i burgosur politik i Burgut të Qafë Barit, është i gatshëm të dëshmojë me hollësi ditën e revoltës së të burgosurve, terrorin e ushtruar mbi ta, ardhjen e forcave speciale nga Ministria e Punëve të Brendshme. Blloshmi tregon angazhimin direkt në tortura dhe gjymtime të Komandantit të Togës së Policisë së Burgut, Edmond Caja, si dhe torturat dhe gjymtimet që bëri ai vetë ndaj të burgosurve të rebeluar. Blloshmi në disa dëshmi, madje edhe Youtube, thotë se i gjithë skenari i tmerrit ishte vepër e Edmod Cajës. Ai vetë, hyri në kamp dhe mori 14 të burgosurit e parë, i torturoi me policët e tij, duke u thyer duar edhe këmbë, pastaj i hodhën në një kamion (marka-Zis) për t’i dërguar në DP Brëndshme të Pukës. Gjithashtu Blloshmi pohon se është dëshmitar okular, se si të burgosurit Sandër Sokoli ia thyen shtyllën kurrizore në tortura dhe se në dokumentat që ai ka konsultuar, nuk del si i vdekur apo i masakruar.

Visar Zhiti – Shkrimtar e poet, ish-i burgosur politik i këtij kampi, një ndër dëshmitarët-kyç të jetës së rëndë të ish të burgosurve nën terrorin e policisë së Edmond Cajës në Burgun e Qafë Barit. Libri i tij memoristik “Ferri i çarë”, jep një panoramë të holësishme, ndër to edhe të ditës së Revoltës më 22. 5. 1984. Zhiti dëshmon: “Pasi kishte lexuar me gjithë gëzimin monstruoz listën e vdekjes dhe burgosjes, për ata fatkeqë që gjendshin aty pa bërë asnjë faj, xhelati Edmond Caja kishte lëshuar edhe ulërimën kërcëuese për të tjerët: A ka ndonjë trim tjetër që do matet me ne?

Pas pak ditësh, në qershor të vitit 1984, dy të rinjtë e dënuar me pushkatim, do të ekzekutoheshin, mes gjymtimeve të panjohura e të padëgjuara në gjithë përvojën monstruoze të xhelatëve e diktatorëve të regjimeve totalitare nëpër botë.

Ahmet Tufa – ish-i burgosur politik i burgut të Qafë-Barit. Tufa ka dëshmuar disa herë në shkrimet e tij për dhunën e ushtruar nga Edmond Caja me policët e tij ndaj të burgosurve. Një dhunë sistematike para dhe pas revoltës së 22-23 majit 1984. Në dëshminë e tij për ditën e revoltës Tufa shpjegon: “Policët të revoltuar hynë dhe filluan të kërkonin nëpër dhoma për të marrë forcërisht Ndue Pishën. Ata hasën në një rezistencë nga disa shokë bashkëvuajtës, të cilët u shprehën, se nuk ishte njerëzore një veprim i tillë dhe se ky djalë, nuk ka për të ardhur kurrë, as i gjallë, as i vdekur. Policët duke parë se nuk mund ta marrin me forcë Nduen, iu drejtuan oficerit roje për ndihmë. Njoftohet komanda dhe menjëherë vijnë bishat e egërsuara me në krye shefin e policisë, i cili quhet Edmond Caja. Në kamp hyri një hije e errët, çdo cep i burgut u rrethua me policë… Mbas pak minutash futen në derë një grup policësh dhe shefi i policisë, kryekrimineli Edmond Caja me atë kapelën e ulur ndër sy, siç e kishte zakon ta mbante. Ai tha: “Ndëgjoni këtu: ai që do të dëgjojë emrin do të dalë e të paraqitet te zyra teknike. Ata kishin përpiluar një listë me emra dhe filluan t’i lexonin me zë të lartë. Askush nuk pranoi… Të burgosurit filluan të kacafyteshin me policinë me çfarë të mundeshin dhe policia ishte e shumtë në numër… Më mirë të vdisnim, se sa të rronim ashtu.

Konstandin Gjordeni: – ish i burgosur politik i burgut të Qafë Barit, një dëshmitar i rëndësishëm okular ky, i cili u qëllua me plumb gjatë breshërive në kohën e revoltës. Vetëm para katër viteve Kostandin Gjordeni ka nxjerrë nga shpatulla e tij plumbin e marrë në burgun e Qafë Bari nga policët e Edmond Cajës. Ja një ekstrakt nga dëshmia e Gjordenit: ” Isha në grupin e të burgosurve që po protestonim për të mbrojtur shokun tonë që e kishin torturuar se nuk kishte plotësuar normën. Në atë kohë Shefi i policisë së burgut Edmond Caja dha urdhër që policët të qëllonin. “Zjarr mbi armiqtë” ishte parulla e tij dhe kaq mjaftoi që policët të lëshojnë breshërinë mbi ne. Mua më drejtoi pistoletën njëri prej policëve, që e kishte emrin Asllan Kurti. Ma drejtoi armën për të më vrarë në lule të ballit por Zoti desh që të më kapë në shpatull dhe u plagosa. Isha i ri në atë kohë 24 vjeç. Ishte në burg dhe një doktor, ne i thoshim Drago por s’ia mbaj mënd mirë emrin. Më mjekoi me ato mjete rrethanore që kishte sepse as që bëhej fjalë që të vinte një mjek që të më shpëtonte, pasi ky polic më qëlloi për të më vrarë dhe jo për të më plagosur. Në atë kohë kur policët morën kontrollin mbi ne të burgosurit, mbaj mend që një të burgosur Sandër Sokolin, e morën e torturuan e këputën në mes, e palosën dhe i këputën shtyllën kurrizore. Në krye të torturave ishin shefi i policisë së burgut Edmond Caja dhe drejtori i burgut Ludovik Cali.. Ata gjuanin me majat e hekurta të çizmeve mbi ne të burgosurit e plagosur.

Ky plumb që kam në dorë, është plumbi që mora në Qafë Bari në revoltën e majit të vitit 1984. Plumbin e kam hequr me operacion disa vite pasi u lirova nga burgu. E ruaj si relike”.

Pra nga sa vërtetohet i akuzuari Edmond Ali Caja, ka ushtruar si dhunë fizike, psikologjike dhe skllavërim ku në mënyrën më kriminale i ushtronte këto duke detyruar të dënuarit e ndërgjegjes të punonin si skllevër në galeritë e minierës për 12 deri në 16 orë në ditë.

Argumentet e padisë 

“Në Anën objektive të veprës penale të “Krimeve kundër njerëzimit”, parashikohen krimet kundër njerëzimit të parashikuara nga neni 74 i Kodit Penal, të cilat kryhen me veprime aktive me sulme shoqërisht të rrezikshme e të kundërligjshme, me forma e mënyra të ndryshme si:

– Me vrasjen e njerëzve në masë – pushkatim e një grupi të popullsisë civile shfarosjen e qëllimshme të njerëzve me anë të përdorimit të lëndëve helmuese, mbytëse, me kthimin në skllevër të njerëzve të lirë, me anë të internimeve dhe dëbimeve me dhunë në masë të popullësisë si edhe me çdo lloj torturë apo dhunë tjetër çnjerëzore.

– Me kthimin në skllevër të njerëzvë në kundërshtim kjo me Konventën mbi Skllavërinë, nënshkruar në Gjenevë më 25 shtator 1926.

– Me çdo lloj torture apo dhune tjetër çnjerëzore, në kundërshtim me Konventën për Torturën, datë 9 dhjetor 1975, si me rrahjen, plagosjen, mbylljen në kampe, burgje, lënien pa bukë, pa ujë, përdhunime të ndryshme, me lidhjen e duarëve e të këmbëve, futjen në ujë të nxehtë apo të ftohtë duke i zhveshur lakuriq etj.

Të gjitha këto forma dhune që përfshihen në krime kundër njërëzimit, janë përdorur në mënyrën sistematike nga i akuzuari Edmond Caja, dhe toga e policëve që drejtohej prej tij. Nga ana subjektive krimet kundër njerëzimit kryhen me dashje dhe me qëllim shkatërrimi të popullsisë civile sipas një plani konkret të paramenduar më parë.

Mbështetur në konventë, Kodin Penal i Republikës së Shqipërisë parashikon shprehimisht se: “Nuk i nënshtrohen parashkrimit të ndjekjes penale krimet e luftës dhe ato kundër njërëzimit”. (neni 67).

Pra me këtë dispozitë të kodit penal krijohet mundësia e ndjekjes penale të krimeve të luftës e krimeve kundër njerëzimit pa u kushtëzuar nga afate procedurale, si dhe sigurohet dënimi i kriminelëve të luftës dhe atyre kundër njerëzimit në çdo kohë”, thuhet në padi.

Në padinë e ISKK-së kërkohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë, të regjistrojë procedimin penal për shtetasin Edmond Caja dhe gjithë togës së policëve të drejtuar prej tij, si përgjegjës për torturat çnjërëzore ndaj të ndjerit Tom Ndoja, por dhe të tjerëve, siç u përshkrua më sipër, ku ka kryer veprën penale “Krime kundër njërëzimit” parashikuar nga neni 74 i kodit penal.  Për të provuar krimet e të akuzuarit Edmond Caja, 17 ish-të burgosurit që kanë emrin në këtë padi mund të thirren në cilësinë e dëshmitarëve.

17 ish-të burgosur politikë gati të dëshmojnë kundër Edmond Cajës

Personat e burgosur të torturuar, skllavëruar dhe poshtëruar në të gjitha format kriminale nga shtetasi Edmond Caja, janë të shumtë, dhe me ngritjen e Institutit të Studimeve Krimeve të Komunizmit, këta ish- të burgosur të ndërgjegjes i janë drejtuar këtij institucioni, dhe kanë denoncuar krimet e ish komandantit të togës Edmond Caja, dhe policët e komanduar prej tij. Pra, viktimat e terrorrit ushtruar fizikisht, detyrohen të kthehen në skllevër nga dhuna fizike dhe psikologjike e ushtruar nga vetë komandanti i togës së burgut të “Qafë Barit” Edmond Caja. Dëshmitarët janë të shumtë, por 17 prej tyre kanë vendosur emrin në këtë padi.

  1. Bedri Blloshmi
  2. Hajredin Fratari
  3. Visar Zhiti
  4. Lekë Frroku
  5. Kostandin Gjerdeni
  6. Haki Hoxha
  7. Foti Stefanelli
  8. Hysen Haxhiu
  9. Hasan Bajo
  10. Vllasi Koçi (Llazi Koçi)
  11. Gjergji Hani
  12. Ahmet Tufa
  13. Asllan Togu
  14. Bajram Dervishaj
  15. Panajot Bastuni
  16. Bajram Vuthi
  17. Sejfulla Teta

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri.