Kryeredaktori i gazetës më të madhe gjermane dhe evropiane, BILD, i ka shkruar një letër presidentit kinez
Nga Julian Reichelt
Shumë i nderuar, zoti president Xi Jinping
Ambasada juaj në Berlin më ka dërguar një letër të hapur, sepse gazeta jonë BILD ka pyetur nëse Kina do të paguajë për dëmin ekonomik që virusi korona po shkakton aktualisht në mbarë botën.
Ambasada juaj e quan ‘famëkeqe’ atë letër dhe më akuzon për nxitje të nacionalizmit. Më lejoni të them disa gjëra për këtë:
-Ju sundoni përmes mbikëqyrjes. Ju nuk do ishit president pa mbikëqyrjen. Ju mund të monitoroni gjithçka, secilin nga qytetarët tuaj, por ju refuzoni të monitoroni tregjet e kafshëve me rrezik të lartë në vendin tuaj.
Çdo gazetë apo faqe interneti kritike mund të mbyllet, por jo vendet ku shërbehet supë me lakuriq nate. Ju, jo vetëm i monitoroni njerëzit, por edhe i rrezikoni ata – dhe të gjithë botën. Monitorimi çon në mungesë lirie. Ata që nuk janë të lirë, nuk janë as krijues. Ata nuk janë inovatorë, nuk shpikin asgjë.
Kjo është arsyeja se përse e keni bërë vendin tuaj kampion botëror në vjedhjen e pronës intelektuale. Kina pasurohet me shpikjet e të tjerëve në vend që të shpikë vetë. Arsyeja për këtë është se nuk i lini të rinjtë e vendit tuaj të mendojnë lirshëm.
Eksporti më i madh kinez, që nuk e do askush, por që është përhapur në botë megjithatë, është korona.