Në mesnatë skadoi afati i vendosur nga Komisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi për Partinë Demokratike që Lulzim Basha të firmoste si kryetar partie deklaratën solemne të parashikuar në Kodin Zgjedhor për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore.
Mirëpo, pa përfunduar ky afat PD e Alibeajt iu drejtua Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve.
Në fakt të dy grupet e PD-së, si ajo e Berishës edhe e Alibeajt, pas ‘luftës’ në Gjykatë dhe kërkesave të depozituara në KQZ, tanimë u ‘përplasën’ në KAS dhe kërkojnë zgjidhjen se cila PD do regjistrohet në zgjedhje.
Ditën e sotme, në orën 10:00 në KAS u hodh shorti për zgjedhjen e relatorëve për të trajtuar ankimimin e dorëzuar nga Sali Berisha dhe Enkelejd Alibeaj për regjistrimin në zgjedhje.
Për ankimimin e “Foltores” është caktuar Ilirjan Rusmajli ndërkohë që sa i përket ankimimit të bërë nga PD zyrtare është caktuar Koli Bele.
Ndërsa Elvis Çefa u caktua për shqyrtimin e ankimimit të bërë nga ‘Lëvizja Bashkë’ e cila ankimoi gjithashtu vendimin e KQZ-së për mos ta regjistruar në zgjedhje