Nga Ilir Gjini

Ambasadorja Kim apo me përkëdheli shqiptarçe Znj. Kimete, bëri qokën e radhës në shërbim të pushtetit që ne shqiptarët e quajmë me përkëdheli “pushta shteti”.

Që Znj. Kim në prapaskenën e pushtetit bën regjinë duke lëvizur që nga skenografia e deri te aktorët dublantë e figurantët, kjo është një gjë e njohur, por që të shkonte deri në rolin e kryeredaktores mediatike të pushtetit, ndodh për herë të parë. Nuk ndodh në asnjë vend të Europës sonë të dashur që i jemi qepur si miza mjaltit, e që për bela nuk na pranon kollaj në gjirin e saj.

Me një gjuhë të xhveshur nga aureola diplomatike, Znj. Kim po i bën pushtetit Rama III, qokën e radhës. “Zgjedhje shumë të mira, por jo të përsosura!” “Në shtator opozita do jetë në Parlament”!

Nuk e kuptoj si mund t’i quani zgjedhjet e 25 Prillit shumë të mira? Zgjedhjet ku partia-shtet përdor resurset e shtetit në shërbim të fushatës elektorale, nuk quhen zgjedhje të mira! Zgjedhjet ku partia-shtet përdor të dhënat personale të qytetarëve (që ia kanë besuar shtetit), në shërbim të fitores së zgjedhjeve, nuk quhen zgjedhje të mira, por zgjedhje kriminale.

Zgjedhjet ku një parti që nuk fitonte deputet kur drejtohej nga një “akademik” si Gjinushi, fiton tre deputetë kur e drejton Toma i Doshëve që Ju e keni shpallur “non grata” për korrupsion e tregëti droge, nuk quhen të mira, por kriminale e diktatoriale.

Zgjedhjet ku partia në pushtet gris marrëveshjet dhe rregullat e lojës (që ju Znj. Kim u bëtë kumbarë), i ndryshon me Parlamentin monist në shërbim të saj, nuk quhen zgjedhje të rregullta, po zgjedhje alla Kastro, Putin e Lukashenko.

Zgjedhjet ku paratë e drogës dhe të grupeve kriminale si ato të Elbasanit, vihen në shërbim të blerjes së votës, quhen zgjedhje kolumbiane alla Escobar!

Me të drejtë për të gjitha këto ngrihet pyetja: A i kanë njohur këto zgjedhje autoritetet shqiptare? Po. Por, për të gjitha argumentat e mësipërme vihet një pikpyetje e madhe për legjimitetin e tyre. Ndërsa ju e nderuar Ambasadore i njohët ato ende pa u çertifikuar nga autoritet shqiptare?!

Edhe në shtetin tuaj e nderuar zonjë zgjedhjet u kontenstuan nga Trump për manipulime. A e uroi ndonjë Ambasador Joe Biden para se të shpreheshin autoritetet amerikane?

Ju doni të na mësoni abc-në e demokracisë, ndërkohë shkelni abc-në e diplomacisë!

Në shkencat natyrore për të vërtetuar disa fenomene, përdoret logjika (“common sense”). “Drejtëza më e shkurtër që bashkon dy pika është segmenti”. Quhet aksiomë, nuk ka nevojë për vërtetim. Që Toma i Doshëve që ju e shpallët “non grata” dhe e linçuat para opinionit publik, të fitonte tre deputetë, kjo quhet vjedhje. Është aksiomë. Toma i Doshëve nuk i fitonte dot tre deputetë. Kurse korrupsioni i “Doçëve” që ju i shpallët “non grata”, po. Jo tre, por edhe më tepër.

Ju flisni me superlativa për reformën në drejtësi, për SPAK-un e kompani. Më thoni a kemi ndonjë person të akuzuar nga SPAK-u për zgjedhjet e fundit?

Kemi parë me zë e figurë komisionerë që prishnin fletët e votimit. Si ka mundësi që SPAK nuk i ka marrë të pandehur? Të deformosh vullnetin e zgjedhësve para kamerave është krim më i rëndë se të grabisësh një bankë, pasi ke grabitur vullnetin e një populli.

Ju keni shpallur “non grata” disa politikanë e prokurorë. Është e drejta juaj si shtet sovran të shpallni të padëshiruar ata që State Department gjykon se janë të korruptuar, apo kanë cënuar interesat amerikane. Por edhe shqiptarët e thjeshtë, që nuk ndihen askund të përfaqësuar, kanë të drejtë t’ju shpallin Ju “non grata” për avokaturën që i bëni nje regjimi me konture diktatoriale.

E ndërsa Shqipëria po digjet nga flakët e pushtetarët krihen,  ushtarët me xana e kova uji po bëjnë sakrificën e radhës. Për flakët që kanë përpirë zgjedhjet e lira, mendon Znj. Kim. Kulla kryeministrore e “barit” nuk do digjet!

Ju mund të vazhdoni detyrën tuaj deri në infinit, por para opinionit të ndershëm shqiptar, jeni shpallur “non grata”.

Një shprehje e vjetër shqiptare thotë: Mos hidh kripë në gjellë të botës. E thotë dhe Konventa e Vjenës për ju Ambasadorët.