Koronavirusi, SHBA-të gati testin që mund t’i nxjerrë rezultatet brenda 45 minutave

Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA ka njoftuar se është dhënë një autorizim emergjent i një testi të ri për koronavirusin. Sipas raportimeve, ky test mund ta zbulojë praninë e virusit brenda 45 minutave.

Autorizimi për testin është bërë të premten dhe testet do të postohen nga java tjetër, sipas një deklarate të bërë nga kompania që po i prodhon.

Kujtojmë gjithashtu se më herët presidenti amerikan Donald Trump, me anë të një postimi në mediat e tij sociale, njoftoi se është gjetur një kombinim medikamentesh që mund të japin efekt tek pacientët e infektuar me Covid-19.

“Hidroksilklorina dhe azitromicina të marra së bashku mund të kenë një shans të vërtetë për të qenë një nga “ndryshuesit e lojës” më të madhej në historinë e medikamenteve. FDA ka lëvizur malet-Faleminderit! Shpresojmë që të dy këto medikamente ( H funksionon më mirë me A) mund të përdoren menjëherë. Njerëz po vdesin, lëvizni shpejt dhe Zoti i bekoftë të gjithë.”

Hidroksilklorina është medikamenti, i përmendur edhe më parë nga presidenti, që përdoret kundër malarias, ndërsa azitromicina është një antibiotik që përdoret për trajtimin e një numri infeksionesh bakteriale. Këtu përfshihen infeksione të veshit të mesëm, dhimbje fyti, pneumoni, diarre dhe disa infeksione të tjera të zorrëve.

Trump ishte shprehur më herët:

“E mira e këtyre ilaçeve është se ato janë përdorur për një kohë të gjatë, kështu që ne e dimë që nëse gjërat nuk shkojnë sipas planit, ato nuk do të vrasin askënd.”