Shqipëria është futur sërish në listën gri të pastrimit të parave

Shqipëria është futur sërish në listën gri të pastrimit të parave, nga e cila kishte dalë në vitin 2015. Lajmi u dha nga Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL, që është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës që ka detyrën të vlerësojë zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar. Në këtë listë përfshihen juridiksionet që kanë mangësi strategjike në parandalimin e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar dhe rrezik të lartë si dhe janë nën monitorim të shtuar.

Njoftimi u bë në 21 shkurt nga Financial Action Task Force (FATF), që publikoi listën e subjekteve nën monitorim të zgjeruar. Vendet e reja që janë subjekt i monitorimit janë Shqipëria, Barbados, Xhamajka, Mauritius, Myanmar, Nikaragua, Uganda. Shqipëria është e vetmja nga Europa që shfaqet në këtë listë, së bashku me Islandën.

Raporti, “korrupsioni paraqet rreziqe të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri. I lidhur shpesh me aktivitetet e krimit të organizuar, ai gjeneron sasi të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe seriozisht dëmton funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale. Autoritetet janë të vetëdijshëm për rreziqet nga korrupsioni, por zbatimi i ligjit deri më tani ka pasur një vëmendje të kufizuar për të shënjestruar korrupsionin e lidhur me pastrimin e parave. Një reformë e rëndësishme gjyqësore është duke u zbatuar për të adresuar më mirë rrezikun e korrupsionit që mbizotëron në vend”.

MONEYVAL pranon se autoritetet shqiptare kanë një kuptim të mirë të rreziqeve të pastrimit të parave të vendit në ekonominë formale dhe kanë mekanizma koordinues kombëtarë për politikëbërjen për të adresuar rreziqet. Megjithatë, këto mekanizma nuk kanë provuar të jenë plotësisht efektive dhe ka disa fusha ku mund të ishin arritur më shumë rezultate, thotë raporti.

Pas më se dy vitesh nga këo paralajmërime, Shqipëria u fut sërish në listën gri, ndonëse gjatë kësaj kohe ajo mori disa masa, por që ishin kryesisht rregullime ligjore.