Moikom Zeqo: Po vilat e politikanëve që kanë vrarë një popull, a do sekuestrohen?

E pamundur që një shqiptari normal nga ajo Shqipëria e madhe e heshtur jomilitante, të mos i shkojë në mendje pyetja: Mirë vilat e disa drogaxhinjve që vrasin njëri-tjetrin, po vilat e politkanëve që kanë vrarë të tashmen dhe të ardhmen e një populli a do sekuestrohen?”

Kjo është pyetja që shtron profesor Moikom Zeqo teksa komenton paketën “Anti KÇK” dhe “Operacionin Forca e Ligjit” kundër anëtarëve të krimit të organizuar në Shqipëri.

Në një shkrim të publikuar te “Dita”, Zeqo vijon të shtrojë pyetje: “A kanë efekte reale afatgjatë këto “operasione” nëse zhvillohen jashtë cdo kuadri ligjor dhe konteksti institucional? Nëse kundërshtojmë idenë që dyert e Europës nuk po na hapen prej krimit ashtu sic thotë ta zemë Holanda, por prej problemeve të brendshme të BE, sic thotë qeveria, atëherë pse vetë kjo e fundit konfirmon Holandën me këto shfaqje që në fund të fundit japin imazhin e një vendi që na qenkësh…. pikërisht sic thotë Holanda? Pse kjo mësymje në një kohë që po investohet me kosto të larta tek Reforma në Drejtësi?”

Për “antiKÇK-në”, Zeqo thotë: “Ligje nga më të çuditshmet, ligje që nuk kanë as tituj juridikë, siç është rasti i ligjit kundër KÇK-së”.

Moikom Zeqo e sheh ndryshimin në Shqipëri vetëm nëpërmjet goditjes së ndryshimeve të realizuara në Kushtetutën e vendit në vitin 2008.

“Enigma e enigmave për të ardhmen politike të Shqipërisë është ligji për ndryshimet e kobshme Kushtetuese të vitit 2008 qe konvecionalizohet si “listat e mbyllura”, me të drejtën prej monarkut të kryetarëve të partive.

Shpreh mendimin tim se nëse nuk ndryshon, nuk eliminohet, nuk hiqet, ligji i ndryshimeve të kobshme të vitit 2008, gjë që klasa e establishmentit të vjetër të politikës me sa duket nuk e dëshiron, atëherë do të ketë gjithmonë vonesa, do të pengohen ndryshimet progresive për të patur një politikë për popullin dhe jo një popull të klonuar për politikën”, shkruan profesori.