Çmim “kult” për një vrasëse

Nga Leon Mirakaj

Sot, diku rreth orës 11:00 shkova në mbështetje të organizatorëve të protestës kundër ligjit “gojëlidhës“ të mediave. Zhvillohej para parlamentit. Ndërsa takoja disa miq, fare pranë, një burrë rreth të 40-tave bërtiste me zë të lartë kundër ligjit, qeverisë, politikanëve e gjithçkaje që mendonte se nuk shkonte mirë në këtë vend. Grupi i pakët i protestuesve, kryesisht gazetarë e njerëz të mediave, dukej gati në siklet nga ky shpërthim…

E njëjta gjë më ndodhi para disa ditësh te “pedonalja”. Një personazh, që e kam parë në foto në disa portale, kish dalë me një tepsi mbi kokë, me një pankartë në duar. Protestonte edhe ai në mënyrën e vet para të gjithëve. Ajo që më bëri përshtypje qenë njerëzit e ulur në kafene, ose ata që i kalonin pranë. Pothuaj të gjithë e shikonin si me siklet, si diçka që nuk iu përkiste. Shpejtonin hapin pa kthyer kokën nga ajo çfarë ai kish shkruar. I njëjti siklet m’u shpërfaq qartë në sytë e pjesës më të madhe të gazetarëve tek protestonin ”paqësisht” para parlamentit, teksa 40 vjeçari uluriste kundër qeverisë.

Fjala e lirë, simbas tyre, po vihej në satërin e parlamentit e gijotina qeveritare po ngrihej t’i priste kokën. Jo më larg se 50 metra prej aty, një ekspozitë e Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, kish lidhur kangjellave, kokat e prera të njerëzve që kundërshtuan lirinë e vjedhur nga komunistët me ardhjen e tyre në pushtet. Mendimi i parë që më kaloi në mendje qe: ”sa prej këtyre njerëz të mediave kishin shkuar ta shihnim këtë ekspozitë?!” Sa prej tyre qenë të informuar mbi të? Sa ishin me bindje se, gjithë çka po ndodhte, qe veç një përsëritje e asaj që kish ndodhur 80 e ca vite më parë!?

Pjesëmarrësit kishin në duar disa pak pankarta me thirrje të vakëta. Jo pak prej tyre i kisha parë mbrëmë në një spektakël ku mora pjesë. Në darkën e të martës, në qendrën kulturore të Kishës ortodokse, u zhvillua një spektakël nga akademia e çmimeve Kult: MBRËMJA GALA E NDARJES SË ÇMIMEVE KULT. Paradoksale qe zgjedhja e vendit. Refektori i një kishe. Në fakt qe më i vogli i paradokseve ndër ato që ajo mbrëmje e trishtë më “dhuroi”.

Ndërsa kaloja në tapetin e kuq, i përzier mes Vip-ave, një burrë tek të 70-at, (dukej te qe i njohur mes Vipsave, sepse e përshëndetën pothuaj të gjithë), i veshur mirë, iu hakërrye njërës prej stjuardesave. Faji i vetëm i vajzës 20 vjeçare qe se nuk po dinte t’i tregonte se ku duhej të akomodohej ai. Zëri i burrit më erdhi i vrazhdë në vesh. ”Kush të ka vu ty ktu mi sharabajkë!”

Do kish mjaftuar kjo që të më prishte mbrëmjen, por stoik, i dëshiruar të shihja një spektakël, por edhe i inkurajuar nga zëra më të bukur që vinin nga tapeti i kuq, vazhdova drejt sallës. Isha ndër të parët. Pata kohë të ndiqja me nge hyrjen e personave të ftuar. Buzëqeshje, shtrëngime duarsh, rrahje krahësh. Ishte pothuaj e gjithë ajo që quhet “ajka e kulturës” shqiptare. Artistë, poetë, shkrimtarë, studiues të fushave të ndryshme. Të gjithë në një sallë e nën kupolën me kryqin e Krishtit sipër. Përceptova një si erë myku. Krejt subjektive, e di. U mundova ta kaloja duke kërkuar diçka më të mirë. Veshjet për shembull. Jo larg më kaloi një këngëtare e re dhe e famshme e këtyre viteve, së bashku me partnerin e saj. Veshur tipikisht për një mbrëmje gala. Sikur u qetësova pak. Veshjet të paktën… mendova.

Spektakli filloi me ngërç. Mikrofoni i njërit prej prezantuesve nuk punonte. Mbi biletën që mbaja në dorë lexohej: pesëmbëdhjetë vjetori i edicionit Akademia Kult”. Drejtuesit thirrën të ftuarit e parë në skenë. Ndërsa u përmendej emri, drita, që duhet të shoqëronte personazhin, vërtitej si jetime mbi spektatorët e, vetëm kur i ftuari ngjitej në skenë, mbërinte t’i kapte këpucët me, a pa, taka. Me gjithë zellin e mirë të drejtuesve, gjithçka më dukej e sforcuar. E ftohtë, bajate, si një gjellë, që duhet ta hash, sepse je aty e frigoriferi nuk ofron gjë tjetër. Isha nën këtë pezëm kur mes përkthyesve, si kandidat, u përmend edhe emri i Agron Tufës. Çmimin e fitoi djali i një regjisori të njohur të viteve kinematografisë socialiste. Përshëndeti të ftuarit që në sallën e pa ngrohur mirë duartrokisnin vakët; kujtoi një mikun e tij që ish larguar nga kjo jetë ca kohë më parë; dedikoi çmimin për të pastrehët e tërmetit të disa javëve më parë. Pothuaj të gjithë fituesit deri në atë moment më dhanë përshtypjen e njerëzve që nuk dinin t’u gëzoheshin çmimeve që merrnin. Ndoshta gabohem po dukej si diçka që già e dinin a, mos më keq, si diçka që thellë thellë mendonin se nuk e meritonin.

Kohë tërmeti ndoshta.

Gjithsesi, i riu 40 vjeçar, intelektuali i brezit të ri, para më shumë se gjysmës së sallës që mbante në barkun e saj intelektualët e kohës së të atit, nuk pati një fjalë të vetme solidariteti për poetin Tufa. Mendoj që as nëpër mend nuk i ka shkuar në këtë mbrëmje gala që diku, mijëra km larg, një prej konkurrentëve të tij në këtë mbrëmje, ishte në pritje, së bashku me familjen, të azilit politik në një vend të Europës. Qe kërcënuar me vdekje ai e familja, sepse, në mbrojtje të së vërtetës e të lirisë së fjalës, kish shkruar e thënë mendimin e tij mbi një aspekt të historisë sonë. Ky koleg, njeri i artit, poet, kërcënohej. Në sallë duartrokitje të flashkëta shkundnin nga pak myk. Diku, ulur, i intervistuar nga moderatorët, qe edhe një nga “kundërshtarët më të egër“ të qeverisë aktuale. Kohët e fundit kish bërë bujë të madhe një video e tij. Ai i kërkonte popullit e inteligjencës së vendit të ngrihej në këmbë e të protestonte për mungesën e lirisë, këtij burimi që po bulëzonte piklat e fundit. Video kish atë në qendër e një sfond të papërcaktuar mbas. Në imazhin tim ai ishte diku në një bunker nga ku, me të vetmin qiri shprese në duar, i drejtohej popullit.

Ishte veç 5m larg meje. Prita një reagim të tijin për Tufën. Hiç. Asgjë. Asfare. Bëri një batutë ”të rrezikshme” me moderatorin për “prerje kokash” (kush më parë, atij, a moderatorit që po e intervistonte, do t’i fluturonte kaptina?!) por asgjë për poetin në ekzil…

Një si ajër i ndenjur lëvizi ngadalë nën të vetmin prozhektor, që ndiqte vipat fitues në sallë. Në skenë, një shkrimtar i mbushur gjoksit me tituj të fituar që nga koha e “qofteve të xhaxhit”, e po ashtu në këtë kohë qoftesh, i djathtë i thekur i një partie thekshëm të djathtë, ftoi në skenë pranë tij, me një të qeshur ndezëse, fituesen e radhës. Mbasi kish eliminur shkrimtarë të tillë me vlerë si Gazmend Kapllani e ndonjë tjetër, ish ministri djathtosh përqafoi në skenë fituesen. I ngjeshi në sqetull një çmim që e vura re për herë të parë me kujdes. M’u duk si një sakicë e vogël, ngjeshur në brez, si kusarëve të viteve 1800. M’u desh pak kohë që të kuptoja çfarë kishtë ndodhur. Zëri i çjerrë si prej duhanxhiu të thekur mëngjesoreve me nga një fërnet përpara shoferëve të kohës së largqoftit, më pruri në vete. Denoncuesja, shkronjësja e ekspertizës mbi veprat e martirëve të artit, Vilson Blloshmi e Genc Leka, Diana Çuli po pontifikonte në skenë me çmimin nën sqetull, duke iu drejtuar publikut më këto fjalë: ”Unë shpresoj shumë që ky çmim të motivojë të rinjtë tanë në të shkruarit e letërsisë me sa më shumë dëshirë”. Hapu sallë! Bjerë kupolë, me gjithë kryq e na zër poshtë!

Intelektualët, poetët, shkrimtarët, studiuesit, këngëtarët, prezantuesit dëgjonin në qetësi predikimin e një vrasëseje. Asgjë nuk cikte membranën e hollë të inteligencjes sonë. Vrasësja u ul e qetë me çmimin-sakicë në brez, në vendin e saj, ndërsa dy studiuese të reja, mike të saja i shtrëngonin duart. Prita që dikush të reagonte. “Tani vjen pjesa hot… fituesi i radhës…”.

Një si ngërç në të kundërt më zuri gjymtyrët e më ngriti në këmbë. Nxitova të dilja ndërsa më shoqëronin duartrokitjet e mefshta të publikut. Salla nuk u shemb. Krishti kish kohë që nuk qe ndalur aty e as në këtë vend. Tërmeti kish kaluar e inteligencia jonë vazhdonte të ishte në atë sallë prej 80 e ca vitesh, të njëjtë. Dola jashtë.

P.S.: Burri rreth të 40-ve vazhdonte të impenjonte tërë vokabolarin e tij në të gjitha gërmat kundër shtetit. Burrat e gratë e mediave flisnin qetë me njëri tjetrin, ndërsa tymosnin nga një cigare. Leka e Blloshmi treten në varre prej vitesh e Tufa, padyshim, do të qe para një nëpunësi burokrat tek i spjegonte tërë asyet e prezencës së tij e të familjes aty. Në cepin tjetër të pedonales, burri me tepsi në kokë rrinte si statujë me pankartën e tij të bardhë shkruar në të zezë. “Largohuni të tërë. Ky vend nuk ju meriton!”

Tiranë, 18 dhjetor 2019