Gazetari italian: Rama më kërcënoi pasi raportova për trafikun e drogës në Shqipëri

Televizioni publik italian “Rai3” dhe emisioni “Fuori TG” kanë bërë sot një denoncim të fortë kundër qeverisë “Rama” lidhur me kërcënimet për lirinë e medias.

Televizioni italian i ka dedikuar një puntatë të plotë projektligjit të qeverisë “Rama” që synon edhe kapjen e mediave online. Në studio ishte i ftuar gazetari italian, Valerio Cataldi, i cili ka bërë emisionin mbi trafikun e drogës në Shqipëri dhe për përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në të. Cataldi tregoi eksperiencën personale duke u shprehur se përveç kërcënimeve, faktet e transmetuara janë quajtur “fake news”.  “Unë jam kërcënuar pas emisioneve për trafikun e drogës në Shqipëri. Jam kërcënuar dhe jam ofenduar në mënyrë të vazhdueshme. Faktet e transmetuara në emisionin tonë u quajtën lajme të rreme”, tha ndër të tjera Cataldi.

Në videon më poshtë, në minutën 10′, gazetari shprehet se ka marrë kërcënime nga kryeministri shqiptar për dokumentarin që kishte bërë për çështjen “Habilaj”.

Pjesë nga biseda në studio:

Valerio Cataldi:… kur emisioni u transmetua pati një reagime të ashpër nga ana e qeverisë shqiptare. Kryeministri shkroi në Facebook gjëra të tmerrshme kundër transmetimit tonë. Na quajti gënjeshtarë, tha që ishin të gjitha gjëra të shpikura dhe që asgjë nuk ishte e vështirë. Pati një sërë reagimesh zinxhirë si kundër meje ashtu dhe ndaj TG3…

Gazetarja: Valerio, ti ke pasur kërcënime?

Valerio Cataldi: Po kam marrë kërcënime. Kërcenimet erdhën pas deklaratave të Kryeministrit (Edi Rama). Na kanë ardhur kërcënime edhe me vdekje madje në adresën time. Kanë ardhur fyerje të vazhdueshme në adresë të programit tonë, i cili u akuzua se ka prodhuar “Fake News”.