Dritan Mishto: Pushteti absolut i Qeverisë Socialiste dhe Kryeministrit Rama e ka kthyer vendin në autokraci….

VATRA, E SHQETËSUAR PËR KRIZËN NË BALLKAN ME PASOJA PËR KOMBIN SHQIPTAR

Fjala e Kryetarit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, z. Dritan Mishto në Darkën e festimit të 107 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë/

– Tashmë është e dukshme se demokracia në Republikën e Shqipërisë është në një kryqëzim të vështirë dhe prej afro tre dekadash, nuk po arrin të ngrihet në baza të forta. Pushteti absolut i Qeverisë Socialiste dhe Kryeministrit Rama e ka kthyer vendin në autokraci….

– Federata VATRA në vazhdimësi ka goditur me forcë të gjitha tentativat për dobësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mosrespektimin e sugjerimeve miqësore amerikane. Sidomos nisma për rishikimin e kufinjve të Republikës së Kosovës, e pasuar nga projekti për krijimin e hapësirës të përbashkët ekonomike mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke injoruar statusin ndërkombëtar të Kosovës ….

***

Të nderuara Zonja dhe Zotërinj!

I Nderuar Father Hieromonk Nikodhim dhe Imam Tahir Kukaj!

Të nderuar miq dhe të ftuar z. Faik Nika, Kryetar i Këshillit Shqiptar në Malin e Zi; z. Ilir Capuni Kryetar i Komunës së Ulqinit dhe pjestarë të delegacionit!

Më lejoni që në emër të Federatës Panshqiptare të Amërikës VATRA t’ Ju uroj nga zemra Gëzuar Festën e Flamurit dhe 107 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë!

Tashmë në traditën e pandërprerë të Federatës VATRA, kjo ditë e shënuar na mbledh të gjithëve të festojmë, nderojmë dhe përulemi me respektin më të thellë për figurat, që i dhanë jetë projektit më të rëndësishëm të Shqipërisë moderne, pavarësisë saj. E bashkuar në mënyrë të pandarë me përpjekjet e gjera për kurorëzimin e pavarësisë dhe mbrojtjen e mëpasshme të saj, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA ndjen një përgjegjësi të dyfishtë për të vazhduar të jetë në krye të ndihmës për çështjen tonë kombëtare. Ndaj, festa e pavarësisë gjithmonë në Vatër është e bukur sepse sado që kalojnë vitet, Vatra përtërihet dhe gjallërohet.

Të dashur bashkëatdhetarë!

Në këtë ditë të shenjtë, ne hedhim sytë e vështrojmë se çfarë po ndodh me vendin amë dhe trojet tona etnike. Të gjithë jemi të shqetësuar për problematikën e thellë politike dhe krizën shoqërore serioze, që ekziston në Ballkan në tërësi, dhe me ndikim të drejtëpërdrejtë mbi kombin tonë. Tashmë është e dukshme se demokracia në Republikën e Shqipërisë është në një kryqëzim të vështirë dhe prej afro tre dekadash, nuk po arrin të ngrihet në baza të forta. Pushteti absolut i Qeverisë Socialiste dhe Kryeministrit Rama e ka kthyer vendin në një autokraci, me një përqëndrim të pushteteve në një dorë, duke krijuar jo vetëm rrezik për të ardhmen dhe sigurinë e standardeve demokratike, por edhe duke kërkuar shumë kohë për riparimin e këtyre dëmeve. Gjendja shoqërore mbetet e rëndë, e pashpresë dhe me një varfëri në rritje. Dukuria e largimit të shqiptarëve, në një rekord të paparë, po shoqërohet me problematika, të cilat po dëmtojnë jo vetëm treguesit statistikorë të përbërjes së popullsisë sa i përket moshës së qytetarëve të atjeshëm, por edhe uljen e fuqisë dhe energjisë për rritjen dhe vitalizimin e kombit. Me dhimbje themi se ky fenomen është një shpopullim i sofistikuar i vendit.

Sa i përket politikës së jashtme, Federata VATRA në vazhdimësi ka goditur me forcë të gjitha tentativat për dobësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mosrespektimin e sugjerimeve miqësore amerikane. Sidomos nisma për rishikimin e kufinjve të Republikës së Kosovës, e pasuar nga projekti për krijimin e hapësirës të përbashkët ekonomike mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke injoruar statusin ndërkombëtar të Kosovës si një republikë e njohur, por dhe interesin tonë kombëtar, janë akte të dënueshme. Federata VATRA po bën ç’është e mundur, me të gjitha format dhe kontaktet e saj, që kjo situatë të kapërcehet dhe të mos humbet asnjë minutë në rrugën e proceseve integruese. Shqiptarët kudo që jetojnë në trojet e tyre në Ballkan kanë më shumë se kurrë nevojë për mbështetje, por edhe ata vetë duhet të ndërgjegjësohen për forcën dhe energjinë e madhe që qëndron në duart e vetë popullit.

Të nderuar miq,

Ky vit shënon edhe një ngjarje madhore për mbarë botën shqiptare: 110 Vjetorin e Gazetës Dielli, botim i Federatës VATRA. Një diasporë e vogël dhe aq shumë peripeci ka shënuar padyshim një rekord në librin e madh të shtypit të shkruar botëror: botimin në mënyrë të pandërprerë të një gazete, e cila vazhdon të botohet periodikisht duke gëzuar edhe sot një autoritet moral të padiskutueshëm në ballë të mendimit kombëtar.

Pas 107 vitesh të festimit të ditës së pavarësisë, kjo darkë është tepër e veçantë sepse z. Marko Kepi, anëtar i Federatës VATRA është sot përballë një sfide shumë të rëndësishme në kandidimin për anëtar i Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut. Me Shoqatën Rrënjët Shqiptare dhe mbarë komunitetin, z. Kepi ka drejtuar paradat që kanë nxjerrë në pah vlerat tona kombëtare duke filluar nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Maqedonia Veriore, Çamëria, Arbëreshët e Italisë, etj. Ndaj, ne ndjehemi sot krenar për Marko Kepin dhe i urojmë nga zemra suksese. Me njerëz të rinj si Marko dhe të tjerë shqiptarë të mirë, që po dalin përditë në skenën e sfidave tona kombëtare, ne ndjehemi të sigurtë se objektivat tona historike do të përmbushën më së miri.

Rroftë Flamuri ynë kombëtar!

Rroftë Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA!

Rrofshin Shqiptarët kudo ndodhen!

Zoti bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!