OSBE publikon raportin përfundimtar për votimet e 30 qershorit. Çfarë thuhet për KQZ-në dhe Kolegjin Zgjedhor

Sipas OSBE-ODIHR “KQZ interpretoi ligjin në mënyrë të paqëndrueshme dhe në një mënyrë tepër të zgjeruar, duke ulur sigurinë juridike”. Një konstatim të drejtpërdrejtë ODIHR e bën lidhur me mospranimin e komisionerëve të opozitës.

Sipas raportit, gjyqtarët u ndikuan në vendimet e tyre për shkak të procesit të Vettingut.

Disa bashkëbisedues të MVZ të ODIHR shprehin shqetësime për mungesën e paanshmërisë së KQZ-së, duke treguar raste kur shumica e anëtarëve të KQZ-së votuan përgjatë linjave partiake.91 Ndërsa gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor gëzojnë imunitet dhe nuk mund të jenë subjekt i procedurave disiplinore gjatë gjithë afatit për të cilin Kolegji është i konstituuar, ata i nënshtrohen “procesit të vettingut” në vazhdim, i cili mund të ndikojë në sigurinë e mandatit të tyre dhe në këtë mënyrë të ndikojë potencialisht në pavarësinë e tyre”, thuhet ne raport.

Gjithashtu, raporti thekson se mos publikimi i dekretit të Presidentit, Ilir Meta në Fletoren Zyrtare është i paligjshëm,

ODIRH evidenton se Presidenti i Republikës anuloi zgjedhjet e 30 Qershorit nisur nga nevoja për të garantuar sigurinë publike dhe përgjegjësisë së tij kushtetuese për të mbrojtur pluralizimin politik. Mirëpo, “Dekreti i Presidentit të Republikës për caktimin e datës 13 Tetor si ditë të zgjedhjeve lokale nuk u publikua në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, edhe pse publikimi i këtij akti të nxjerr nga Presidenti i Republikës është i detyrueshëm nga ligji”.

Për shkak të situatës së pazakontë me zgjedhjet pa garë në 30 Qershor, ODIHR specifikon se “nuk ka dispozita të posaçme për zhvillimin e zgjedhjeve pa kundërshtar dhe nuk ka kërkesë minimale ligjore për pjesëmarrjen e votuesve për vlefshmërinë e rezultatit”. Pra është vështirë të kuptohet nëse kjo situatë lejohet apo jo ligjërisht.

Megjithatë, tërthorazi duket se ka dhënë edhe për këtë një përgjigje, ku ka evidentuar se: “Votuesve jo gjithmonë ju kontrollua gjurma e bojës apo jo gjithmonë u shenjua me bojë përpara dhënies së fletës së votimit. Në listat e zgjedhësve u konstatuan nënshkrime dukshëm identike, që janë provë e votimit me përfaqësim nga të tjerë. Në listë janë nënshkrime identike për llogari të disa personave, apo mos shënjimi me bojë, ngre dyshimin e madh se numri i votuesve është rritur artificialisht, nëpërmjet votimit të një personi ne emër të disa personave”.

VËZHGUESIT ZGJEDHOR

Vëzhguesit ndërkombëtar nuk u lejuan sipas ligjit që të vëzhgonin procesin e mbylljes së qendrave të votimit, të vlerësonin protokollin tabelimit të rezultatit të votimit, duke kufizuar kështu aftësinë e tyre për të shqyrtuar në mënyrë efektive proceset e numërimit dhe tabelimit.

ANKESA DHE APELIMI

Disa vendime të Kolegjit Zgjedhor ngrenë shqetësim mbi aksesin efektiv në drejtësi.
Konstatohet shqetësim për mungesën e paanshmërisë së KQZ-së, duke treguar raste kur shumica e anëtarëve të KQZ-së votuan sipas linjave partiake. Ndërsa gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor gëzojnë imunitet dhe nuk mund të jenë subjekt i procedurave disiplinore gjatë gjithë afatit për të cilin Kolegji është i konstituuar, ata ishin subjekte të procesit të vettingut, i cili mund të prek sigurinë e mandatit të tyre dhe në këtë mënyrë të ndikojë në pavarësinë e tyre.

ODIHR ishte dëshmitar i rasteve të kërcënimit të votuesve dhe shkeljes së fshehtësisë së votës në qendrat e votimit, mirëpo për këto raste nuk është regjistruar zyrtarisht asnjë procedim penal nga prokuroria. Ka një shqetësim për mungesën e përgjithshme të efektivitetit të hetimeve penale që kontribuojnë në perceptimin e përhapur të pandëshkueshmërisë mbi krimet elektorale të kaluara, duke përfshirë votimin dhe presionin ndaj votuesve.

ADMINISTRATA ZGJEDHORE

Mospranimi i komisionerëve të opozitës në administratën zgjedhore për shkak të interpretimit të ligjit nga KQZ, e ka administraën zgjedhore politikisht të pabalancuar. Për pasojë, shumë bashkëbisedues të Misionit të Vëzhgimit të ODIHR shprehën mungesë besimi për të gjitha nivelet e komisioneve.

Në disa raste KQZ zbatoi ligjin në mënyrë të paqëndrueshme ose në atë mënyrë që solli paragjykim. Disa vendime të KQZ-së, përfshirë ato për mohimet dhe ankesat për regjistrimin e kandidatëve, u publikuan me një vonesë të konsiderueshme, gjë që cënoi transparencën.

Vendimit për refuzimin e komisionerëve të opozitës KQZ i dha karakterin e një vendimi normative që sipas Kodit Zgjedhor dhe standardeve zgjedhore të Komsionit të Venecias kërkon shumicë të cilësuar, ndërkohë që ai u miratua me shumicë të thjeshtë votash.
Disa bashkëbisedues të ODIHR pohuan se komisionerët e emëruar kryesisht nga KQZ, që duhet të ishin ekspert të pavarur, në fakt ishin pa përvojën e duhur ose në të vërtetë ishin përfaqësues të PS.

NË PËRFUNDIM TË KËTYRE GJETJEVE ODIHR KA DHËNË 20 REKOMANDIME, KU 6 PRIORITARET JANË SI MË POSHTË:

Me qëllim të forcimit të demokracisë pluraliste, riafirmimit të të drejtës së qytetarëve për të marrë pjesë në qeverisje dhe demostrimit të përgjegjësisë së përbashkët ndaj integritetit të procesit zgjedhor, partitë politike dhe palët e tjera të interesuara zgjedhore duhet të përfshihen në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës dhe të lehtësojnë Reformën Zgjedhore që adreson rekomandime të përfshira në këtë dhe raportet e mëparshme të ODIHR-it.

Autoritetet dhe partitë politike duhet të ndërmarrin masa maksimale për të eleminuar problemin e gjatë të keqpërdorimit të burimeve të administratës publike gjatë dhe ndërmjet zgjedhjeve. Autoritetet duhet të miratojnë rregulla të qarta që përcaktojnë se si burimet publike mund dhe nuk mund të përdoren për qëllime zgjedhore. Duhet të merren hapa të mëtejshëm për të arritur depolitizimin e shërbimit civil dhe të sigurohet që presioni të mos zbatohet mbi votuesit për të marrë pjesë në fushata zgjedhore ose të votojnë në një mënyrë të caktuar.

Autoritetet duhet të garantojnë të drejtën e votuesve për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë. Procedurat e votimit duhet të rishikohen për të siguruar fshehtësinë e votës dhe mbrojtjen nga ndikimi i padrejtë mbi votuesit. Rëndësia e fshehtësisë së votave duhet të theksohet gjatë trajnimit të komisioneve zgjedhore dhe në materialet e edukimit të votuesve.

Në përputhje me rekomandimet e mëparshme ODIHR, për të rritur besimin e publikut në procesin zgjedhor, duhet të merren në konsideratë formulat alternative për emërimin e anëtarëve të administratës zgjedhore, të mbështetura nga masa procedurale që sigurojnë pavarësinë e tyre.

Të gjitha gjykatat që kanë kompetencë në ccështjet zgjedhore duhet të jenë plotësisht funksionuese gjatë periudhave zgjedhore. Pavarësia dhe paanshmëria e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe gjyqësorit duhet të sigurohet.

Organet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë të gjitha pretendimet për krimet zgjedhore në mënyrë të plotë, të shpejtë dhe transparente. Qeveria duhet të krijojë një procedurë me të cilën punonjësit e tanishëm dhe të ardhshëm të administratës publike mund të raportojnë çdo presion politik që mund të ushtrohet mbi ta, në lidhje me marrjen ose ruajtjen e një pozicioni pune ose me performancën e tij në punë. Personat e tillë duhet të gëzojnë mbrojtjet e garantuara aktualisht nga ligji për sinjalizuesit e akteve korruptive.