Krimet e komunizmit dhe pse Lushnja ishte qytet i veçantë

Nga Gazmend Kapllani

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944 -1991, ka marrë një iniciativë shumë të rëndësishme për zbardhjen e krimeve të regjimit komunist në Shqipëri dhe promovimin e kulturës së kujtesës.
Është jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Është jetike për rimëkëmbjen tonë morale dhe shpirtërore si komb.
Një prej këtyre aktiviteteve bëhet sot në qytetin tim të lindjes, në Lushnjë.
Herën e fundit që isha në Lushnjë, im atë më tregoi sërish dosjen e familjes sonë, që kishte arritur të merrte nga arkivi i Sigurimit.
Është logjikisht e pamundur të përshkruhen gënjeshtrat e paturpshme dhe të llahtarshme, që ishin shkruar në atë dosje për gjyshërit dhe të afërmit e mi, në mënyrë që të përligjej vjedhja me dhunë e pronave të familjes; burgosja dhe torturimi çnjerëzor i gjyshit tim; përzënia nga shtëpia natën si kriminelë – ndërsa gjyshja ime mbante ende zi për vëllezërit e saj të vrarë nga gjermanët – dhe degdisja në një kasolle në periferi të Lushnjës – në atë kasolle ku kam lindur unë; damka e “armiqve” për gjithë jetën; frika dhe tmerri se në çdo valë spastrimi, që bëhej, mund të bëheshim përsëri shënjestër e regjimit dhe të na internonin.
Lushnja është një qytet i veçantë, sepse fshatrat përreth ishin përzgjedhur nga regjimi si vendi kryesor i internimeve dhe poshtërimit masiv të individëve dhe familjeve fisnike për breza të tërë.
Kur munda të njoh të internuar, bashkëmoshatarë nga Savra apo fshatra të tjerë, kuptova se kishte familje që kishin vuajtur dhe vuanin shumë më shumë se familja jonë.
Ishte momenti kur kuptova që jetoja në një vend, që ishte kthyer në një burg të madh, ku xhelatët me tekat e tyre absurde dhe primitive mund të bënin çfarë të donin me viktimat e tyre.
Gëzohem që bëhet ky aktivitet në Lushnjë, sepse kam përshtypjen që njerëzit që persekutuan familjen time dhe shumë familje të tjera, bënë ç’është e mundur të varrosej në harresë ajo periudhë turpi, dhune dhe krimi masiv – në Lushnjë kam përshtypjen, më shumë se gjetkë, sepse ishte pikërisht një qytet i veçantë.
Uroj që shumë bashkëqytetare të mi lushnjarë dhe bashkatdhetarë në qytete të tjera, të vizitojnë ekspozitat dhe aktivitetet.
Ai që nuk njeh të kaluarën është si njeriu që jeton pa kujtesë, pa busull morale dhe identitet.
Siç kam shkruar edhe gjetkë: “Narrativa mbizotëruese pas rënies së regjimit, se “të gjithë ishim bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”, hapi rrugën për barazimin e autorëve dhe viktimave dhe, si pasojë, për nihilizmin moral…
Ne nuk ishim të gjithë persekutues dhe të persekutuar.
Disa ishin autorë dhe disa të tjerë ishin viktima.
Disa ishin ekzekutues dhe të tjerët u ekzekutuan.
Sloganët si “të gjithë jemi viktima dhe autorë krimesh”, në lidhje me të kaluarën totalitare politike dhe “të gjithë jemi të korruptuar dhe viktima korrupsioni”, lidhur me të tashmen politike kleptokratike, qeverisen nga e njëjta logjikë nihiliste.
Ata përfundojnë duke eliminuar ndjenjën e përgjegjësisë penale dhe individuale, duke shpërblyer autorët e krimeve dhe duke e kthyer mosndëshkimin në një mënyrë jetese politike.
Shqipëria ka nevojë për drejtësi morale dhe institucionale që të pajtohet me veten”.
Përgëzime në veçanti Gentiana Mara Sulës dhe Ardita Repishtit për punën e jashtëzakonshme, që kanë bërë.
Një falenderim të veçantë miqve, vëllezërve dhe motrave lushnjarë, që kontribojnë në zbardhjen e së vërtetës. Ju lutem vizitojeni sa më shumë ekspozitën.