Armand Shkullaku: Kur shteti çmendet më keq se Mihali

Kur erdhi në pushtet, rreth 6 vite më parë, Edi Rama deklaroi se “do të qeveriste me forcën e shembullit dhe jo me shembullin e forcës”. Midis dhjetra rasteve që vërtetojnë të kundërtën e këtij premtimi, shkëlqeu sot aksioni “i fuqishëm” për të shembur lokalin e Mihal Kokëdhimës në Porto Palermo. Pasi e burgosi, damkosi, e shpalli armik të imazhit të Shqipërisë në botë, gjithë shteti u ngrit në këmbë për të shembur një ndërtesë, që bënte hije tash sa vite në sytë e të parit të vendit, sa herë që ai kalonte ndër ato vise ku ka bërë ndërmend edhe të pleqërojë (me ose pa Koçon). Ndaj Mihalit të ish “Panoramës”, tani ka mbetur vetëm masa e dëbim- internimit familjar dhe heqja e të drejtës së studimit për fëmijët e nipërit.

Një dhunë e tillë shtetërore, që transmetohet live që në pikë të mëngjesit, është ku e ku më shqetësuese sesa çmenduria e Mihalit mbi një makinë turistësh.

Sepse kur çmendet shteti pasojat nuk janë më tek imazhi i Shqipërisë në botë, por tek jeta e gjithësecilit prej nesh që kemi të bëjmë çdo ditë me një shtet të tillë. Fadromat e shfaqura në një spektakël populist të hakmarrjes, nuk ishin gjë tjetër veçse metaforë e një fenomeni që e përjetojmë prej kohësh: shteti jam unë, ligji jam unë!

Kryeminstri nuk arriti dot në asnjë ditë të vetme që të qeverisë nëpërmjet forcës së shembullit. Entuziastët që brohorisnin aksionet e tij të fillimit për kontrollin e territorit, u ftohën shpejt kur panë shembullin e selektimit dhe të standarteve të dyfishta. Disa ndërtime në Jug, por edhe në shumë vende të tjera, pronë e njerëzve pranë kryeministrit, jo vetëm nuk u prekën, por u rritën me ritme të shfrenuara duke gërryer kodra e duke zaptuar edhe bregun e detit. Mbiemri i Mihalit, përsa kohë Edi Rama do pleqëronte me Koçon, ishte garanci e lulëzimit të një biznesi, që tani “u zbulua” se paskërka qenë pa leje. Sigurisht që nuk është vetëm Mihali. Drejtorët aksionsitë të Ramës mjafton të bëjnë një verifikim të thjeshtë të zonës dhe do dalin plot mihalë që janë shembulli i dëshmtimit të kontrollit të famshëm mbi territorin.

Dhuna shproporcionale dhe e zhurmshme e shtetit ndaj individi, qoftë ky edhe në një aktivitet ta paligjshëm, u manifestua pikërisht për të shurdhuar dështimin 6 vjeçar dhe aferat korruptive me pronat në bregdet. Kjo dhunë u transmetua live për të treguar se Ai nuk fal, se Ai është i ndjeshëm ndaj shkelësve të ligjit, se Ai nuk duron dot t’i preket imazhi i Shqipërisë… Se Ai të bën gjëmën. Ai dhe jo ligji, lideri populist dhe jo kryeminstri i zgjedhur për të qeverisur dhe respektuar shtetin ligjor.

Mihali u burgos në emër të këtij populizmi. Në një vend normal, burgu është masa më ekstreme dhe për një rast të tillë nuk do të ishte aplikuar. Mihali mund të dërgohej në një spital psikiatrik apo të detyrohej të paguante dëmin e shkaktuar, material dhe shëndetësor, por në Shqipëri nuk vendos ligji i ftohtë por vullneti i nxehtë i të parit të vendit, sepse ai nuk mund të qeverisi veçse me shembullin e forcës.