Lulzim Basha: Krimi ka mbështetjen e qeverisë, paratë e drogës pastrohen hapur.

Lulzim Basha

Krimi ka mbështetjen e qeverisë, paratë e drogës pastrohen hapur.

E gjithë Italia dhe Europa, sikundër Shqipëria, mbrëmë, është tronditur nga dëshmitë që kanë sjellë Prokurorët dhe oficerët italianë në një reportazh dje të televizionit shtetëror Italian, Rai 3, një pasqyrë e rëndë të gjendjes së trafikut të drogës.

Dëshmitë e Antimafias Italiane janë se:

1. Këtë vit kanabis po kultivohet në një të tretën e territorit të Shqipërisë.

2. Sasia e kanabisit këtë vit është 5 herë më e lartë se vitin e kaluar

3. Krimi shqiptar ka ndërtuar celula në të gjithë Europën dhe në Amerikën Latine

4. Organizatat kriminale shqiptare kontrollojnë në mënyrë ekskluzive gjithë trafikun e heroinës afgane, që kalon përmes rrugës ballkanike.

5. Organziatat kriminale shqiptare janë kthyer në lojtarë të mëdhenj ndërkombëtarë në trafikun e kokainës, që e marrin nga Amerika Latine dhe e fusin në Europë, shpesh, përmes Shqipërisë.

6. Krimi shqiptar është zhvilluar për shkak të pandëshkushmërisë dhe lirisë absolute që i është dhënë krimit në Shqipëri.

7. Krimi ka kapur të gjitha nvielet e qeverisjes dhe ka mbështetje nga të gjitha nivelet e qeverisjes, nga me i ulëti tek më i larti. Këtë të fundit e dëgjuam me zë dhe me figurë nga Prokurori i Antimafias.

8. Kriminelët e kërkuar në Europë shëtisin të lirë në Shqipëri.

9. Paratë e krimit pastrohen haptazi në Tiranë.

Këto janë gjetjet e dokumentarit bombë, kësaj pasqyre, e cila konfirmohet nga të gjitha raportet ndërkombëtare mbi Shqipërinë.