Prefekti i Gjirokastrës në kongresin që themeloi shtetin më terrorist të Europës

Sot, në 24 maj 1944, ditën kur nisi kongresi jugosllav i Përmetit, kopja e shëmtuar e mbledhjeve të AVNO-it, komunistët përkujtuan në këtë qytet datën kur nisi jetën shteti më terrorist komunist në Europën lindore. Dhe meqë në këtë aktivitet është e zakonit të bëhen bashkë persekutorë e ish funksionarë të regjimit të djeshëm, mesazhi më i qartë që na u dha ishte ai se lufta e klasave mbetet e pandryshuar për këta. Nuk ka dyshim që të ashtuquajturit “veteranë” nuk janë gjë tjetër veçse agjitatorë komunistë që nuk kanë parë luftë me sy. Ata janë ish të privilegjuar të regjimit të djeshëm. Nëse do hiqnim ngjyrat, as nuk kishte dallim fare se do kujtonim se ishim në vitet ’70. I njëjti dekor sovjetik dhe po ato fjalë boshe, për të përligjur çeljen e regjimit me karakter terrorist dhe antishqiptar që u vendos në Shqipëri nën kujdesin jugosllav. Kryetari i shoqatës së veteranëve (që ishte 4 vjeç kur filloi lufta) e quajti kongresin “ngjarjen më të rëndësishme të luftës nacionalçlirimtare”. Përfaqësuesi i qeverisë, prefekti i Qarkut Gjirokastër foli si anëtar i Byrosë Politike se i vetmi pushtet në atë kohë ishte ai “popullor”. Ndërsa Spartak Braho, avokat i zellshëm i regjimit komunist tha se ngjarja e kongresit ishte e krahasuar me atë të Kuvendit të Vlorës në vitin 1912. Braho nuk dinte se kongresi i Përmetit shkatërroi pikërisht shtetit që me aq mundim ngritën patriotët shqiptarë deri atë kohë, shteti i cili nisi në Vlorë. Sigurisht, foto e diktatorit zbukuronin sallën, ndërsa fotot e mareshalit Tito, nuk ishin vendosur. As fotot e shokëve Miladin e Dushan

Nga Kastriot Dervishi