SHBA:Shqipëria në vitin 2018 me pastrim parash, kokainë dhe heroinë

Raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit për Strategjinë e Luftës Ndërkombëtare Kundër Narkotikëve mund të cilësohet si dokumenti më i rëndë kundër qeverisë “Rama” që vjen nga institucionet ndërkombëtare. Raporti që u referohet shifrave të vitit 2018, jep vlerësimet më negative për dy shtyllat kryesore që analizon: trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të krimit të organizuar.

Për trafikun e drogës, dokumenti i SHBA thotë se “Shqipëria është vend kryesor për trafikun e narkotikëve”. Sipas DASH, në Shqipëri mbetet problem kultivimi dhe tregtimi i hashashit. Shqipëria ka shënuar përkeqësim në raport, në pikën që flet për drogat e rënda. Kështu në vitin 2018, sipas dokumentit amerikan, Shqipëria është kthyer në një pikë kalimi të rëndësishme për drogat e forta, kokainën dhe heroinën. Një fakt i tillë e klasifikon Shqipërinë mes vendeve kryesore në rajon që shërben si urë kalimi për kokainën që vjen nga Amerika Latine dhe heroinën që vjen nga Afganistani. Dokumenti thekson se trafiku i drogës që kalon në Shqipëria kryhet nga grupe të krimit të organizuar që verojnë në Europë dhe vende të tjera. Në këtë mënyrë, Shqipëria është futur në listën e zezë të shteteve ku veprojnë rrjetet e fuqishme ndërkombëtare të trafiqeve. Edhe më kritik raporti është në pjesën që ka të bëjë me pastrimin e parave. Dokumenti thekson se për shkak të korrupsionit dhe paaftësisë së institucioneve, Shqipëria gjatë vitit 2018 nuk ka bërë asnjë hap para kundër pastrimit të parave që vijnë nga krimi dhe trafiqet. Por ajo çfarë është më shqetësuese lidhet me faktin se dokumenti i institucioneve të SHBA e cilëson Shqipërinë si një “bazë operacionale për grupet kriminale që veprojnë mes Europës dhe Lindjes së Mesme. Krimet që gjenerojnë më shumë para në Shqipëri janë trafikimi i drogës, evazioni fiskal dhe kontrabanda. Elementë të tjerë me rëndësi në këtë aspekt janë falsifikimi, kontrabanda e armëve dhe trafikimi i qenieve njerëzore. Shqipëria shërben si bazë operacionesh për grupet e krimit të organizuar që veprojnë në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut”,- citon raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit. DASH thekson dhe problemin e korrupsionit, duke e cilësuar si një fenomen të përhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes së vendit. Dokumenti për drogën dhe trafiqet i DASH është një studim që nuk bëhet për efekte mediatike apo çështje statistikore. Raporti i dërgohet çdo vit Senatit të SHBA dhe shërben si material i dorës së parë lidhur me vendimet që merr institucioni më i lartë ligjvënës në Amerike. Ndaj faktet e shprehura në këtë material pasqyrojnë në mënyrë gati të pamëshirshme gjithë çfarë dinë agjencitë e specializuara amerikane për Shqipërinë. Dhe ajo që del nga ky raport është një grusht i fortë për qeverinë shqiptare. Dhe konkretisht për kryeministrin Rama që flet krejt në të kundërt të asaj që ka raporti amerikan. Ajo çfarë thotë DASH hedh poshtë me pak rreshta gjithë propagandën dhe gjithë mburrjet e qeverisë “Rama”. Shqipëria jo vetëm nuk ka shënuar ndonjë hap para në luftën kundër drogës siç thotë kryeministri, por rezulton se situata është përkeqësuar. Nga hashashi që u kthye në një gangrenë për ekonominë e vendit, gjatë vitit 2018 Shqipëria ka shënuar rekorde më negative te drogat e forta si heroina dhe kokaina. Kryeministri Edi Rama prej kohësh sulmon mediat se i “fryjnë” më shumë sesa duhet historive kriminale duke pasqyruar një situatë që nuk është. Në fakt, raporti thotë se Shqipëria jo vetëm që ka problem me krimin ordiner, por tashmë ka hyrë në listën e vendeve kyçe ku operojnë rrjetet mafioze të trafikut të drogës. Vetëm citimi se “Shqipëria është bazë operacionesh për krimin”, e rendit Shqipërinë në vend që janë njëlloj me Afganistanin. Konfirmime të tilla, sado të zbukurohen nga qeveria, tregojnë se ndërkombëtarët e shohin Shqipërinë jo vetëm si të korruptuar dhe me probleme në funksionimin e demokracisë, por edhe si një shtet ku zbatohen kodet e mafies dhe jo ligjet.

Trafiku i drogës e pastrimi i parave, në mënyrën sesi janë renditur nga DASH nuk kërkojnë përgjegjësi vetëm te policët apo edhe te prokurorët. Niveli i lartë tregtimit të heroinës dhe kokainës, si dhe më pas pastrimi i këtyre parave në ekonominë shqiptare tregon se këtu organizatat kriminale kanë gjetur ortakët më të sigurte, qeverinë dhe gjithë sistemin. Është një akuzë e rëndë, por ndryshe nuk ka se si shpjegohet. Sigurinë e rrjeteve kriminale për të sjellë drogën nga Afganistani apo Kolumbia dhe më pas t’i garantohet pastrimi i parave mund ta ofrojnë vetëm strukturat shtetërore dhe jo policët e thjeshtë.

DASH dje dërmoi qeverinë shqiptare dhe kjo tregoi se gjithë retorika njëvjeçare e kryeministrit ra përtokë.

Vendi ndodhet në emergjencë dhe krizë politike, i mbërthyer nga mafia e lidhur me pushtetin. Ndaj zgjidhja mbetet një qeveri tjetër dhe zgjedhje korrekte për të luftuar mafien e futur në çdo damar  të shtetit.