Theu dorën sot në Superligë – Merr fund sezoni për qendërmbrojtësin

Dajan Shehi u dëmtua në ndeshjen e sotme që Kastrioti zhvilloi me Teutën dhe përfundoi në spital. Mbrojtësi nga Elbasani ka thyer dorën dhe duke parë problemin e tij, me shumë gjasa sezoni është i mbyllur për shtatlartin.

“Dajan Shehi pësoi një dëmtim të rëndë në ndeshjen e sotme me Teutën. Pas ekzaminimeve të para në spitalin e Durrësit, rezulton se Shehi ka thyer të dy kockat e krahut të majtë. Ai ka vendosur menjëherë dorën në allçi, ndërsa në vazhdim do të ketë edhe ekzaminime të tjera. Nëse do të jetë e nevojshme, ai mund t’i nënshtrohet edhe një ndërhyrje kirurgjikale në ditët në vazhdim”, njofton klubi krutan.

Shehi do të qëndrojë pushim 4-6 javë dhe praktikisht duhet të nisë të mendojë për kampionatin tjetër. Një humbje e madhe për trajneri Bledar Devolli, i cili nuk ka shumë alternativa për qendrën e prapavijës. Shehi është nën kontratë me krutanët deri në fund të sezonin. Kastrioti e ka marrë atë në huazim nga Teuta.