12 qershori 1991 si datë e ndryshimit të emrit dhe jo e formimit të ndonjë partie të re

Më 10 qershor 1991 Partia e Punës, e themeluar më 8 nëntor 1941 nga dy emisarë jugosllavë, mbajti kongresin e 10-të të saj. Parashikimi ishte për një ditë, por kjo u tejkalua. Në tribunën e kongresit ishte vendosur basorelievi i Enver Hoxhës si treguesi më i qartë se çfarë kongresi po zhvillohej. Delegatët vazhdimisht brohorisnin me gëzim emrin e një prej terroristëve më të njohur në gjithë Europën, ideatori i një shkatërrimi që asnjë pushtues nuk ia bëri shqiptarit. PPSH, partia që eksperimentoi e drejtoi Shqipërinë në mënyrë kriminale për 46 vjet, shpalli në këtë kongres rinovimin e saj, pra përtëritjen dhe modernizimin e asaj që ishte. U bënë tre propozime për çështjen e emrit: ruajtjen e emrit Partia e Punës, vendosjen e emrave Partia e së Ardhmes Socialiste ose Partia Socialiste. Votimi u bë i hapur në sallë. Një delegat i kongresit kërkoi që partie të merrte çfarëdo emri përveç emrit Partia Socialiste, pasi këtë emër kishte edhe partia e Milosheviçit në Serbi. Një mendim i tillë u pëlqye dhe u duartrokit gjatë nga delegatët, të cilët në fund fare bënë të kundërtën duke pranuar propozimin për ta quajtur Partinë e Punës, Parti Socialiste. Kjo e fundit vazhdoi të kishte si organ të saj gazetën “Zëri i Popullit”, i cili hoqi menjëherë nga koka e tij draprin dhe çekanin si dhe parullën marksiste “proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni”. Ndryshimi i emrave të partive komuniste, kryesisht në parti socialiste, ishte dukuri e gjithë vendeve të lindjes komuniste, ishte rekomandim në fakt. Delegatët nuk arrinin ta kuptonin këtë. Partia e Punës ishte partia e fundit komuniste që ndryshoi emrin në Europë. Edhe në prezantimet e para të kësaj partie, ishte e qartë se bëhej fjalë vetëm për procesin e ndryshimit të emrit. Në mbledhjen e Kuvendit Popullor të datës 12.6.1991 kur u diskutua dhe miratua programi i qeverisë së Ylli Bufit, nuk u bë asnjë njoftim nga grupi kuvendor i Partisë së Punës se është ndryshuar emri. Vetëm në mbledhjen e datës 17.6.1991, kryetari i grupit kuvendor të Partisë së Punës njoftoi ndryshimin e emrit. Ismail Lleshi thotë: “grupi parlamentar, të cilin unë kryesoj, përfaqëson tashmë Partinë Socialiste dhe është Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste”. Socialistët hodhën poshtë një projektligj të opozitës e cila kërkonte shtetëzimin e pronave të PPSH-së. Me shkresën nr.1167 (vëreni si vijon protokolli i Partisë së Punës), datë 3.7.1991 kryetari i PS-së njoftonte Ministrinë e Drejtësisë për vendimet e kongresit të 10-të të Partisë së Punës për vijimin e marrëdhënieve të saj me emrin Partia Socialiste e Shqipërisë.

Ajo që pritej të shihej ishte qëndrimi i kësaj partie ndaj krimeve të komunizmit, duke dënuar trashëgiminë enveriste të saj. Deri më sot, kjo parti nuk ka dënuar asnjë krim të saj të viteve të luftës civile 1943-1944. Ndërsa qëndrimi për periudhën 1944-1991 është tejet hipokrit dhe i ngjashëm me atë të luftës. Në parti nuk ka mbizotëruar në drejtim njeriu i thjeshtë i ish anëtarësisë komuniste, por ai me lidhje me Bllokun dhe persekutorët komuniste.

Kësisoj mendoj se duhet përkujtuar data e aktit të rinovimit dhe ndryshimit të emrit, por jo e formimit të një partie të re se partitë nuk lindin në kongrese. Nuk është parë e dëgjuar kjo. Dhe sa për kujtesë, kemi sot në botë edhe Partinë e Punës së Koresë së Veriut.